Arbëri

Shitësit ende s’kanë filluar t’i lirojnë hapësirat publike në Prishtinë

Komuna e Prishtinës u dha afat 16 ditë shitësve në hapësirat publike të sistemohen nëpër tregjet e kryeqytetit. Por gjashtë ditë që nga ky vendim, shitësit ende s’e kanë përfillur kërkesën e Komunës.

Alban Ymeri nga Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë ka thënë se shitësit do të kenë afat deri më 24 korrik të largohen nga hapësirat publike, siç kishin njoftuar paraprakisht, ose do të largohen nga Policia.

“Si Komunë, në vazhdën e lirimit të shumë hapësirave publike, do të lirohen rrugët përreth tregut në zonën qendër dhe në tregut në lagjen ‘Ulpiana’. Ne u kemi dhënë afat 16 ditë shitësve që të shkojnë në tregjet përkatëse, nga 8 korriku deri më 24 korrik. Pas kësaj date, së bashku me Policinë do të organizojmë aksion për lirimin e tyre”, ka thënë Ymeri në emisionin “SOT” të KTV-së.

Ymeri bëri të ditur se ka raste që shitësit kanë filluar t’i lirojnë hapësira, por megjithatë një numër i madh ende po shesin në trotuare ose rrugë.

“Ne shpresojmë që ta zbatojnë urdhëresën, pasi është në të mirë të të gjithë qytetarëve për të lëvizur lirshëm”, shtoi ai.

Ymeri theksoi se brenda tregjeve të Prishtinës ka hapësira të mjaftueshme për t’u vendosur edhe ata që shesin në hapësira publike.

“Prandaj u është dhënë ky afat, që ata të sistemohet në tregje”, përfundoi ai.

Video: