Me ndarjen e kioskave të reja në sheshet e Prishtinës jo të gjithë janë të kënaqur. Shitësi ambulant, Enver Gashi, ka ditë që po proteston para Komunës së Prishtinës, ku akuzon një zyrtar komunal se ia ndërroi vendin e kioskës brenda natës
Familja e Enver Gashit po qëndron tash e sa ditë para Komunës së Prishtinës duke kërkuar, siç thonë anëtarët e saj, drejtësi për ndërrimin e lokacionit të kioskës.
Gashi ka shitur misër në hyrje të rrugës “Rexhep Luci”, ngjitur me sheshin “Nënë Tereza” për kohë të gjatë, e me pranimin e kioskave të reja, thotë se i është caktuar vendi i njëjtë për ta ushtruar biznesin e tij.
Ai e akuzon zyrtarin e Shërbimeve Publike, Sabri Gashi, se siç thotë, brenda natës ia ka ndërruar vendin, duke e zhvendosur në një rrugë tjetër ngjitur me sheshin, atë që njihet si “kafet e rakisë”.
Në vendin ku, sipas tij, duhej të ishte kioska e tij, është vendosur një tjetër shitës ambulant.
“Që 13 vjet punoj në shesh. Qëllimi im që kam dalë këtu se na kanë sjellë do trafika të reja dhe timen ku kam pasur me marrë në minutë të fundit ma kanë marrë dhe ia kanë dhënë dikujt tjetër. Mua më kanë vendosur në vend tjetër. Atë e di Sabri Gashi. Ai është autori i kësaj pune, fund e krye. Është zyrtar në drejtorinë e Shërbimeve Publike. Personin që e ka vendos në vendin tonë ai e ka sezonin 50-60 mijë euro gjatë verës”, tha Enver Gashi.
Gashi, i cili është invalid, tha se së bashku me vajzën e gruan e tij të sëmurë varen nga të ardhurat që fiton nga kioska.
“Ne tre varemi prej asaj pune. Që 1 javë ditë është dashur të hy borxhe me ble barna për vete e për shoqen. Unë jam me aftësi të kufizuar. Gruan e kam me sëmundje të alzheimerit. Është tetrapagjik- parapregjik. Pa punuar aty unë nuk mundem me i përballuar”, tha Enver Gashi.
E drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, tha se i takon zyrës që drejton të vendosë se kush do të shfrytëzojë cilën kioskë. Ka mbrojtur po ashtu zyrtarin e akuzuar.
“Fakti që zotëriut i konvenon me qenë në atë lokacion nuk do të thotë se ne duhet të vendosim ashtu siç i konvenon atij. Ne kemi vendosur sipas parimeve tona, jo unë personalisht, jo kryetari, por zyrtari i Drejtorisë së Shërbimeve Publike që duke se këtij nuk po i konvenon. Sjellja e tij ka qenë shumë arrogante dhe unë jam detyruar ta largojë për shkak se ka ardhur me fjalë ofenduese ndaj Sabri Gashit, nuk e kam lejuar dhe nuk do e lejoj asnjëherë që një zyrtar i imi të ofendohet”, tha Brestovci.
Shitësi Muharrem Avdullahu, që tash operon në vendin ku Gashi pretendon se i takon, u shpreh se është Komuna ajo që vendos.
“Ka qenë komisioni para 1 vite e diçka dhe kur ka ardhur Përparim Rama ka thënë të largohen shitësit ambulant dhe prej asaj pjese na kanë qitë këtu”, tha Avdullahu.
E shitësi Enver Gashi tha se ai dhe familjarët e tij do të vazhdojnë të qëndrojnë para objektit të Komunës së Prishtinës derisa të aprovohet kërkesa e tyre.