Arbëri

Shihet i vështirë tejkalimi i ngërçit në dialog

Edhe dy javë i përfundon mandati emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosalv Lajçak. Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Lajçak po largohet, duke e lënë situatën shumë të paqartë, sepse në njërën anë, të dyja palët ftohen që të zbatojnë të gjitha obligimet nga marrëveshja e 2023-tës, e në anën tjetër Serbia e thotë qartë se nuk e zbaton atë. Por, është ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, që për mungesë përparimi në dialog fajin kryesor ia ka hedhur Kosovës

Kur i kanë mbetur edhe dy javë Miroslav Lajçakut deri në fund të mandatit si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj nuk pret se ai mund t’ia vë pikën ndonjërës prej çështjeve të trajtuara deri tash. Sipas tij, kjo nuk pritet të ndodhë as në ditët e para të pasardhësit dhe ka përmendur rrethanat që pamundësojnë këtë.

“Së pari, nga zgjedhjet në Kosovë, pastaj situata në Serbi, qasja që do të ketë administrata e re amerikane, por edhe Gjermania dhe Franca, vende që kanë po ashtu probleme të brendshme në konstalacionet politike. Prandaj, është e vështirë që procesi, të cilin Lajçak po e lë në një fazë tejet të paqartë, të sjellë rezultate në fillim të këtij viti. Lajçak po largohet duke e lënë situatën shumë të paqartë, sepse në njërën anë, të dyja palët ftohen që të zbatojnë obligimet, të gjitha obligimet nga marrëveshja që është arritur në vitin 2023. Por, Serbia thotë qartë se nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa edhe Kosova fajësohet se nuk ka bërë lëvizje sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Palokaj. “Pra, për gjithçka duhet të pritet që të sqarohen në situatat e brendshme në Kosovë, në Serbi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Francë, e pastaj edhe në strukturat e Bashkimit Evropian”.

Për mungesën e progresit në dialog ka folur Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill. Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Hill shumicën e fajit për këtë ia ka hedhur Qeverisë së Kosovës.

“Kosova duhej të bënte disa gjëra, duke përfshirë mbrojtjen e komuniteteve të ndryshme, duke përfshirë popullatën serbe. Personalisht, progresi në Kosovë më duket shumë zhgënjyes. Shpresoj për më shumë përpjekje në dialog, veçanërisht në dialogun e Brukselit të udhëhequr nga evropianët. Shumë prej nesh janë të zhgënjyer nga mungesa e progresit, dhe për mendimin tim, shumica e fajit i takon Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai në intervistën lamtumirëse.

Pas inaugurimit të Donald Trumpi si president i 47-të i SHBA-së më 20 janar, Hillit i përfundon mandati si ambasador në Beograd. Ai e mori postin në marsin e vitit 2022. Herë pas here, ka qenë zë kritik për Kosovën.

E, sipas Palokajt nuk mund të pritet nga kushdo që do ta lehtësojë dialogun në emër të BE-së, që të ketë fuqi për të detyruar Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë obligimet. Sipas tij, këtë mund ta bëjnë vetëm fuqitë e mëdha.

“Para së gjithash, në rastin e Kosovës vendet e QUINT-it e në rastin e Serbisë Gjermania dhe Franca, ndërsa Bashkimi Evropian vetëm në atë aspektin që mund ta kushtëzojë përparimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe përdorimin e mjeteve financiare nga ana e BE-së për Serbinë, ka thënë ai.

Ish-kryediplomati i Finlandës, Pekka Haavisto dhe ish-ambasadori i BE-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, danezi Peter Sorensen, janë kandidatët potencial për përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, post që e mban sllovaku Miroslav Lajçak. Të dy këta diplomatë kanë mbajtur pozita të larta diplomatike dhe kanë përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Haavisto ka udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Jashtme së fundi, gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ai u përfshi në negociatat që rezultuan në anëtarësimin e Finlandës në NATO. Siç ka raportuar në tetor të vitit të kaluar gazeta e shtetit nordik “Ilta-Sanomat”, Finlanda e ka propozuar atë për këtë post, ndërsa presidenti Alexander Stubb ka deklaruar se Haavisto do të ishte kandidat i shkëlqyeshëm për ndërmjetës.

Pekka Haavisto ka qenë disa herë në Kosovë ku ka takuar liderët shtetërorë. Më 2019, në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër në detyrë, ai ia pati kërkuar Kosovës heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa Serbisë ndaljen e lobimit ndërkombëtar kundër Kosovës. Për zgjidhjen e problemeve me dialog ai pati kërkuar edhe pas protestave të majit 2023 kur serbet kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat kryesore komunale.

Ndërsa Peter Sorensen aktualisht mban pozitën e këshilltarit për diplomaci digjitale në Shërbimin e Jashtëm të BE-së.

Diplomati nga Danimarka ka përvojë të gjatë edhe në Kosovë e edhe në Serbi, ndonëse pozitat diplomatike i ka mbajtur më të ulëta sesa Haavisto. Sorensen ka qenë pjesë e UNMIK-ut nga viti 2000 deri në vitin 2006. Fillimisht kishte mbajtur pozitën e këshilltarit ligjor (2000), pastaj atë të këshilltarit të të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm (2001-2002), e më pas të zëvendësshefit të shtyllës së tretë të UNIMK-ut për Rindërtim dhe Zhvillim (2002-2006). E nga viti 2006 deri në vitin 2010 ai ishte përfaqësues personal i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Beograd, kohë kjo kur Kosova e shpalli pavarësinë.