Taulant Hoxha, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka thënë se propozimi i KE-së i lëndon seriozisht qëllimet dhe vetë zbatimin e marrëveshjeve të arritura së fundmi me ndërmjetësimin e BE-së që bazohen në parimin e integritetit dhe sovranitetit mes palëve. Lidhur me këtë propozim KOHA u ka adresuar pyetje zyrtarëve të BE-së, porse nuk ka marrë përgjigje
I paqëndrueshëm është konsideruar arsyetimi i Komisionit Evropian (KE) që liberalizimi i vizave për Kosovën, nga 1 janari i 2024-s, të vlejë edhe për bartësit e pasaportave serbe që lëshohen nga Zyra koordinuese në Beograd për shtetasit e Kosovës.
Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Civile (KCSF), ka thënë se propozimi i bërë nga KE-ja i lëndon seriozisht qëllimet dhe vetë zbatimin e marrëveshjeve të arritura së fundmi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që bazohen në parimin e integritetit dhe sovranitetit mes palëve në dialog. Hoxha këtë e ka vlerësuar si precedent të rrezikshëm, pasi që i legjitimon pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe se do të pranohen dokumente pa verifikim.
“Kjo i pranon dokumente të cilat lëshohen nga një autoritet, i cili territorin e Kosovës, vendbanimet e Kosovës i pasqyron si vendbanime të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë. Në ato pasaporta që lëshohen nga Zyra koordinuese shkruan Prishtina, Republika Srbija”, ka thënë Hoxha, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së. “Argumenti i vetëm, i cili edhe vetë në dokumentin e propozimit nga Drejtoria për Çështje të Brendshme është i përfshirë, janë këta qytetarë që do të jenë të vetmit që do të mbesin pa liberalizim të vizave. Ky argument ka vlejtur për qytetarët e Republikës së Kosovës për 13 vjet. Domethënë nga viti 2010 ne kemi qenë qytetarët e vetëm realisht që nuk kemi mundur (të lëviznim v.j.) dhe nga 2018 pa të drejtë, sepse prapë me kritere të vetë Komisionit Evropian kemi qenë të gatshëm për ta marrë atë (liberalizimin v.j.)”.
Lidhur me propozimin KOHA u ka adresuar pyetje KE-së, porse nuk ka marrë përgjigje.
Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njohja e këtyre dokumenteve është e papranueshme. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Bislimi ka thënë se kjo përbën edhe shkelje të sovranitetit të Kosovës.
“Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkërisht prej vitesh. Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale. Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme, ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, ka shkruar Bislimi.
Sipas tij, komuniteti serb në Kosovë nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi që ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta, të cilat lëshohen nga Kosova dhe e mundësojnë udhëtimin pa viza në vendet e zonës Schengen.
“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi është parë edhe një interes i lartë dhe rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”, ka shkruar Bislimi.
Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk kanë mundur të lëvizin në zonën Shengen. Vendimi për heqjen e vizave është miratuar më 18 prill të këtij viti. Asokohe, në Komisionin Evropian patën thënë se ky vendim nuk do të përfshinte edhe bartësit e pasaportave që lëshohen nga Zyra koordinuese në Beograd. E një muaj e gjysmë para hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, KE-ja ka propozuar që ky vendim të ndryshojë. Propozimi i ka shkuar për shqyrtim Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili bashkë me Parlamentin (PE) do të vendosin nëse e miratojnë apo do ta refuzojnë këtë propozim.