Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat e mbrojtjes së Goran Stanishiqit dhe të Prokurorisë Speciale, teksa ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit për dënim me 15 vjet burgim për krime lufte. Stanishiqi ishte arrestuar në Jarinjë më 2019 dhe u akuzua për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë në bashkëkryerje. Koordinatori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, e vlerëson të gabueshëm interpretimin që Supremja po e bën për dënimin maksimal për rastet e krimeve të luftës
Gjykata Supreme ka mbajtur në fuqi vendimin e Apelit për Goran Stanishiqin, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.
Trupi gjykues, i kryesuar nga Agim Maliqi dhe Valdete Daka e Rasim Rasimi, anëtarë, me aktgjykimin e 20 marsit ka konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë e edhe ajo e Apelit kanë bërë konstatim të saktë të fakteve, se Stanishiqi ishte pjesëtar i MUP-it të Serbisë dhe se ishte pjesëmarrës në vrasjen e civilëve në fshatrat e Lipjanit, Sllovi dhe Tërbovc.
“Sa i përket vrasjes së tani të ndjerëve J.K., B.G., M.P., R.K., A.I. dhe E.B., nga deklaratat e dëshmitarëve D.B., F.K., B.B., H.I., M.P., N.G., R.G. e A.B., vërtetohet se të ndjerët, të gjithë civilë, janë ndarë nga kolona e fshatarëve dhe janë rreshtuar pranë murit, duke u ekzekutuar pas pak, ndërsa në mesin e personave të cilët kanë qenë në uniforma të policisë dhe të cilët i kanë ndarë civilët e ndjerë nga kolona, ka qenë edhe i dënuari, të cilin e kanë identifikuar, pasi që e kanë njohur – deklarata këto të cilat i kanë dhënë dhe para hetuesve ndërkombëtarë menjëherë pas luftës. Ndërsa, faktin se të ndjerët janë vrarë nga armë të ndryshme zjarri, e vërtetojnë edhe raportet e autopsive, të përpiluara nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilët i kanë ekzaminuar mbetjet mortore, menjëherë pas përfundimit të luftës”, shkruhet në aktgjykim.
Pos vrasjes në bashkëkryerje të 15 personave, ai është dënuar edhe për plagosjen e një personi dhe dëbim të popullatës civile më 15 e 16 prill 1999.
Për këto dy ditë gjithsej u vranë 45 civilë shqiptarë.
Gjykata konstatoi se Stanishiqi vrau komshinjtë në fshatin e tij.
Një pjesë e fqinjëve ishin dëshmitarë të masakrës dhe e identifikuan atë si pjesëmarrës.
“Identifikimi i të dënuarit është bërë duke e përshkruar si djalin e T. dhe katundar i fshatit S., polic gjatë luftës, duke e përshkruar edhe pamjen e tij, moshën dhe armën (AK-47), si dhe uniformën, si uniformë me lara dhe të paramilitarëve. Të gjitha këto deklarata janë dhënë edhe para hetuesve”, shkruhet në aktgjykim.
Goran Stanishiqi u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, më 2019.
Gjykata Themelore e Prishtinës e pati dënuar me 20 vjet burgim, por Apeli ia zbuti dënimin për pesë vjet.
Koordinatori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, e vlerëson të gabueshëm interpretimin që Supremja po e bën për dënimin maksimal për rastet e krimeve të luftës.
“Ne si organizatë mendojmë që dënimi maksimal për krimet e luftës duhet të jetë 20 vjet burgim për arsye se neni 38 paragrafi 2 e ka parashikuar që mund të shqiptohet edhe dënimi me vdekje, i cili dënim për ato vepra penale mund të shqiptohet edhe me 20 vjet burgim. Sipas Gjykatës Supreme, nuk mund të shqiptohet për këto vepra më shumë se 15 vjet burgim për arsye se nuk ekzistojnë forma më të rënda të kryerjes së veprës penale ashtu siç e parasheh Ligji penal i Jugosllavisë, si paragrafi 3. Janë disa interpretime të ndryshme sa i përket këtij nenit 38”, thotë Alija.
Dënimin më të madh për krime lufte në Kosovë e ka marrë Salih Mustafa nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë – 26 vjet burgim, vitin e kaluar.
Tribunali i Hagës, dënimin më të madh për krimet e luftës në Kosovë ia ka dhënë Nebojsha Pavkoviqit më 2014, komandant i Armatës së tretë jugosllave – 22 vjet burgim.
Dënim me 20 vjet burgim i është shqiptuar Çedomir Jovanoviqit më 2001 nga një panel gjyqtarësh të UNMIK-ut, për krime lufte në Rahovec.