Disa prona komunale në Obiliq janë duke u shfrytëzuar jashtëligjshëm për më shumë se dhjetë vjet nga operatorë ekonomikë. Këtë vërejtje e ka dhënë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e saj vjetor për këtë komunë. Zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth këtyre pronave. Ndërkaq opozitarët në këtë komunë kanë shprehur dyshimet se shfrytëzuesit e këtyre pronave janë persona të afërt me pushtetin
Autoritetet lokale në Obiliq jashtëligjshëm janë duke lejuar shfrytëzimin e disa pronave komunale, ani pse afati i kontratave ka skaduar para më shumë se dhjetë vjetësh.
Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës përcakton se pas përfundimit të afatit të kontratës, prona i kthehet komunës dhe kryetari obligohet që ta njoftojë Kuvendin Komunal, duke përshkruar gjendjen aktuale të pronës, si dhe të japë propozimet për destinimin e saj në të ardhmen. Më tej, sipas Zyrës Kombëtare të Auditmit (ZKA), pas përfundimit të kontratës për shfrytëzimin afatgjatë të pronave të paluajtshme të komunës, mund t’i vazhdohet afati në bazë të performancës.
Por, për këto prona zyrtarët komunalë nuk i kanë ndjekur këta hapa.
“Pesë kontrata të lidhura për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të pronave të Komunës u kishte përfunduar afati i përcaktuar në kontratë (2009-2011). Për më tepër, Komuna nuk kishte zhvilluar procedura të cilat kërkohen sipas Rregullores për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale apo vazhdim të afatit të shfrytëzimit, por kishte lejuar operatorët ekonomikë të shfrytëzojnë pronën pa marrëveshje kontraktuale. Prej tyre, në dy raste Komuna i kishte faturuar OE (operatorët ekonomikë v.j.), ndërsa në tri raste nuk kishte faturuar OE për shfrytëzim të pronës komunale”, thekson Raporti i Auditorit.
Bazuar në këtë dokument, mungesa e monitorimit të kontratave për dhënien në shfrytëzim ishte shkak që këto prona të shfrytëzohen pa kontratë dhe të mos rrjedhin përfitime ekonomike nga përdorimi i tyre.
“Shfrytëzimi i pronave komunale përtej periudhës së caktuar në kontratë, si dhe mosfaturimi i operatorëve ekonomikë për shfrytëzim të pronës komunale krijon papajtueshmëri ligjore dhe rrjedhimisht më pak të hyra. Kryetari duhet të sigurojë që të gjitha pronat pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës. Po ashtu, duhet të sigurojë që të zhvillohen procedurat përkatëse për dhënien e tyre në shfrytëzim”, thekson raporti i ZKA-së.
Lidhur me vërejtjet e Auditorit, KOHA u ka adresuar pyetje zyrtarëve komunalë që nga 16 gushti dhe të mërkurën u ka dërguar prapë, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkaq, opozitarët në këtë komunë kanë shfaqur dyshime rreth shfrytëzimit të pronave komunale në Obiliq.
“Zakonisht ekzekutivi aktual, ato punë që janë bërë paraprakisht, para se këta të vijnë në pushtet, i lë në mjegull, por sipas mendimit tim, kjo veç neglizhencë nuk është. Kjo është e qëllimshme për faktin se pronat komunale në Obiliq, qoftë ato toka, qoftë ato objekte, ato shfrytëzohen në masë të madhe nga persona të afërt me pushtetin dhe një gjë e tillë mund të jetë që është lënë sikurse është harruar dhe në të njëjtën kohë kontratat kanë rrjedhë edhe pa zhvilluar procedura të rregullta”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Obiliq. “Kjo është e qëllimshme për arsye që t’iu bëjnë favor personave që ata i kanë të afërt, edhe politikisht edhe familjarisht”.
Ahmeti ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që pronat komunale, sipas tij, keqpërdoren nga Komuna e Obiliqit.
“Kuvendi Komunal nuk informohet as për procedurat rreth pronave komunale se ku kanë shkuar. Për rastin në fjalë, Auditori tashmë ka vërtetuar se janë bërë shkelje ligjore në lidhje me këto procedura, ku si pasojë Komunës i kanë shkaktuar dëme ekonomike, me një fjalë nuk është faturua dëmi, i cili ka qenë dashtë të paguhet nga operatorët ekonomikë. Ne vazhdimisht në Kuvendin Komunal kërkojmë nga ekzekutivi që të na informojë me listën e pronave, të cilat janë në shfrytëzim dhe ato që iu del afati i shfrytëzimit, mirëpo një transparencë e tillë nuk ndodh në Kuvendin Komunal në Obiliq”, është shprehur ai.