Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se të hënën në hyrjen e repartit për fëmijë në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc është vendosur një mesazh në të cilin ka gjuhë të urrejtjes.
“Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi”, është mbishkrimi që sipas Mustafit tregon përshkallëzim të qëllimshëm të gjuhës së urrejtjes.
“Nuk është rastësi, por një përshkallëzim i qëllimshëm i gjuhës së urrejtjes, që vjen pas grafiteve të ngjashme të shkruara në oborrin e po këtij institucioni pak ditë më parë”, ka shkruar ai në Facebook.
Mustafi ka shtuar se kjo klimë e urrejtjes po mbështetet edhe nga zyrtarët shteëtërorë me deklarata provokuese.
“Siç është Nenad Mitroviqi, drejtori i Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, i cili në një intervistë për InformerTV akuzoi se Shaipi, Ardita e Ragmiu ‘po zbatojnë urdhra për të destabilizuar situatën në jug të Serbisë…’ me qëllim ‘dëbimin e serbëve nga këto komuna...’. Po ashtu, Sekretari Shtetëror dhe i besuari i Vuçiq, Dragan Stevanoviq – Bocki, përçmoi kërkesat e shqiptarëve duke na thënë të ‘mësojmë nga shembulli i Presidentit Vuçiq’”, ka shkruar ai.
Sipas Mustafit, mosveprimi i prokurorisë dhe policisë ndaj këtyre kërcënimeve tregojnë se këto akte të dhunës dhe urrejtjes po legjitimohen nga vetë kreu i institucioneve serbe.
“Kjo situatë nuk është asgjë tjetër veçse një përgatitje për veprime represive të ardhshme ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka deklaruar tutje ai.