Arbëri

Shfaqen në TikTok ofertat për migrantët shqiptarë

Një llogari në TikTok ka ofruar pako deri në 30 mijë funte, përfshirë edhe gra e fëmijë të rrejshëm, për shqiptarët që jetojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Bandat shqiptare brenda Anglisë rekrutuan nëna beqare britanike ose të BE-së, me fëmijët e tyre, për të ofruar prova që mbështesin të drejtën për të qëndruar në Britani

Një llogari e TikTokut është zbuluar duke ofruar pako “familjarë të rrejshëm” – disa prej të cilave kushtojnë 30 mijë funte – për migrantët shqiptarë që qëndrojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar një hetim.

Oferta synonte kryesisht shqiptarët që kishin hyrë ilegalisht në vend, duke e kaluar Kanalin Anglez, por edhe ata që ishin burgosur dhe përballeshin me deportim.

Bandat shqiptare brenda Anglisë rekrutuan nëna beqare britanike ose të BE-së, me fëmijët e tyre, për të ofruar prova dokumentare që mbështesin të drejtën e emigrantëve për të qëndruar në vend.

Në llogarinë e TikTokut, e cila u krijua më 10 maj, shkruhej: “Kemi djem dhe vajza për martesë. Garantues për djemtë që janë në burg (qendrat e paraburgimit të imigracionit). Zonja me fëmijë, regjistra për atësi dhe aplikime për marrjen e dokumenteve nga Shqipëria me vajza të huaja. Aplikim për të marrë dokumente si njerk ose njerkë. Është shumë e thjeshtë”.

Sipas statistikave të Home Office, shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e migrantëve që kaluan ilegalisht Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla vitin e kaluar – rreth 45.577.

Një reporter i televizionit shqiptar u fsheh dhe pozoi si klient i mundshëm duke pyetur për shërbimet.

Profili i TikTokut thoshte: “Për të gjithë të interesuarit që marrin dokumente në Mbretërinë e Bashkuar, e keni numrin poshtë profilit. Si formë pagese pranojmë apartamente ose makina në këmbim të dokumenteve”.

Vijonte më poshtë: “Në total 30 mijë funte për një grua me një fëmijë, 5 mijë funte depozitë, pastaj 25 mijë funte kur ta merrni certifikatën me emrin tuaj si babai i atij fëmije. 20 mijë funte për t’u regjistruar si njerk, 5 mijë funte depozitë dhe 15 mijë funte kur t’i merrni letrat. Pastaj 25 mijë funte për martesë. Ju paguani 10 mijë funte pastaj, kur i merrni dokumentet, 15 mijë funte”.

Faqja e mediave sociale në pronësi kineze hoqi reklamat dhe ndaloi llogaritë pasi u njoftua.

Një zëdhënës i kompanisë tha: “Udhëzimet tona të komunitetit janë të qarta: se ne ndalojmë përmbajtjen që tenton të lehtësojë kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“Ne e kemi hequr përmbajtjen e shpërndarë dhe kemi ndaluar përgjithmonë llogaritë për shkeljen e këtyre udhëzimeve”. / AP