Arbëri

Sheshi shndërrohet në “liqen”

Pas nisjes së punimeve kundërligjshëm në rrugën “Rexhep Luci” nga Komuna e Prishtinës, kanë shpërthyer disa gypa të ujit, me ç’rast është bërë e pakalueshme rruga, kurse qytetarët janë ankuar që uji u ka hyrë edhe në ndërtesat e tyre të banimit. Punimet e vrazhda janë duke vazhduar, pavarësisht se projekti ka paraparë që sheshi të shtrohet në kalldrëm e Komuna ka nisur ta betonojë një pjesë të tij

Punimet në sheshin “Rexhep Luci”, në kryeqytet, kanë vazhduar edhe me gjithë faktin që Gjykata Komerciale vitin e kaluar ka urdhëruar masë pezulluese për to.

Të enjten në këto hapësira ka shpërthyer një gyp i ujit, me ç’rast e gjithë vendpunishtja është mbuluar nga uji.

Banori i kësaj lagjeje, Mentor Dobruna, thotë që pas shpërthimit të gypit uji ka depërtuar në bodrume dhe ka krijuar problem qasjeje, veçmas për të moshuarit.

“Është bërë edhe më keq. Problemi që ne e kemi aty është se ka shpërthyer një gyp i ujit dhe kësisoj po kemi probleme në hyrjet e ndërtesave tona. Të gjitha bodrumet janë mbushur me ujë. Unë e kam hallin e nënës sime, ajo është në moshë dhe kur të kthehet në shtëpi do ta ketë të vështirë hyrjen në ndërtesë. Nuk e di çfarë janë duke bërë kështu”, ka thënë Dobruna.

E disa qytetarë kanë kërkuar që punimet të mos stërzgjaten.

“Nëse bëhet më mirë jam shumë dakord. Sigurisht unë mendoj që ekziston një plan apo projekt që këtu të ndërtohet sheshi. Jam i bindur që këtu po ndërtohet për të mirën e qytetarëve. Mirëpo, këtu duhet të rregullohet më shpejt dhe të lirohen këto hapësira për qytetarë”, ka thënë një nga ta.

E zëdhënësja nga “KRU” Prishtina, Arjeta Mjeku, ka njoftuar se ekipet e ujësjellësit janë aktivizuar pas raportimit të defektit.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit janë duke u marrë me sanimin e defektit në një gyp të ujit në atë pjesë. Shpresojmë që të përfundojë rregullimi sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Projekti i prezantuar nga kryetari Përparim Rama para dy vjetëve parashihte që sheshi të shtrohej në kalldrëm.

Mirëpo tani pjesët anësore të rrugës janë shtruar me beton, duke dalë jashtë projektit të prezantuar.

Për këtë gjë KOHA gjatë ditës ka provuar që të marrë një përgjigje nga drejtori i ri i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, por e ka mbyllur telefonin sapo është kontaktuar.

Përfaqësues të opozitës në kryeqytet kanë thënë se me qeverisjen e Ramës qytetarëve u është vështirësuar jeta në Prishtinë.

“Komuna ka premtuar vendosjen e kalldrëmeve, kurse tash e ka betonuar atë pjesë. Përparim Rama dhe LDK-ja kanë premtuar hapësira gjelbëruese e tash qytetarëve po u jep hapësira betonuese. Shtoja faktin që punimet po ecin ngadalë e shpesh po kemi edhe rrjedhë të kanalizimit, gjë qe po paraqet problem për banorët e kësaj rruge, por edhe qytetarët që frekuentojnë këtë rrugë. Me qeverisjen e LDK-së po vështirësohet jeta e qytetarëve të Prishtinës çdo ditë e më shumë”, ka thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Besart Krasniqi.

Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Komerciale ka shpallur masë ndaluese të punimeve kundrejt vendimit të Komunës së Prishtinës për ndalimin e qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe në rrugët të cilat kalojnë në parkun e universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përballë Bibliotekës Kombëtare.