Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës ka miratuar propozimin e kryetarit Përparim Rama që sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare ta mbajë emrin e ish-politikanit austriak Erhard Busek, anipse punimet për këtë shesh janë ndalur vetëm dy ditë pasi nisën shkaku i mungesës së lejes nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Me 34 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten vendosi që sheshi i ri ta mbajë emrin “Erhard Busek”.
Kryetari Rama e quajti moment historik.
“Është kënaqësi e veçantë me qenë këtu. Do ta quaja këtë moment historik sepse nuk jemi të emërtojmë thjeshtë një shesh, por të përforcojmë lidhje shpirtërore mes dy kombeve. Erhard Busek nuk ishte thjesht politikan, por vizionar, e pa Kosovën si shpresë. E pa Ballkanin jo si të përçarë, por si mision të tij. Ai punoi për të sjellë paqe në rajon”, ka thënë Rama.
Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve së partisë më të madhe opozitare në kryeqytet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se shkaku i miqësisë Austri – Kosovë nuk po merret me shkeljet procedurale që janë bërë për emërtimin e këtij sheshi.
“Për shkak të miqësisë mes Austrisë dhe Kosovës po i tejkaloj shkeljet procedurale qe janë bërë. Vëllazërimi mes këtyre dy popujve është i lidhur me përpjekjen për liri. Interesimi dhe angazhimi për Kosovën i Erhard Busekut daton qysh para lufte. Ai i hapi për herë të parë dyert e studentëve të Prishtinës ne kohën kur të gjithë ua mbyllën. Ne e përkrahim dhe e mbështesim emërtimin e një sheshi duke e përjetësuar emrin e një njeriu të madh”, ka thënë ai.
Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Austrisë.
Pas seancës tabela me emrin “Erhard Busek” është zbuluar para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Atë e ka zbuluar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

Erhard Busek vdiq në vitin 2022. Si ministër i Arsimit në qeverinë austriake, në mesin e viteve të 90-ta, Busek i kishte njohur diplomat shkollore dhe universitare të Kosovës, duke ua mundësuar mijëra studentëve kosovarë vazhdimin e studimeve në Austri. Ishte edhe ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.
Së fundmi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar fillimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, ku përfshihet edhe ndërtimi i sheshit të ri. Mirëpo, punimet të cilat filluan të hënën u ndaluan vetëm pas dy ditësh nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore, pasi janë në kundërshtim me ligjin.
KOHA ka raportuar të mërkurën se projekti 18.4 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
E gjatë ditës, pllakatës së projektit i është vendosur njoftimi për ndalim të punimeve.
Kjo nënkupton ndalimin e punimeve deri sa Komuna të çojë projektin në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe të marrë miratim për projekt. Atëherë mund të nisë puna nën mbikëqyrjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore.