Arbëri

Sheshi i Pejës dekorohet nga një biznes privat, opozita ngre dyshime

Tenderi i shpallur para dy jave për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit është anuluar nga Komuna e Pejës.

Anulimin e këtij tenderi, komuna e ka publikuar në faqen e saj zyrtare më 5 dhjetor, kurse një ditë më vonë sheshi është stolisur falas nga kompania Devolli.

Menaxheri i Zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha, ka treguar se arsyeja e anulimit të tenderit ka qenë pikërisht interesimi i shprehur i komunitetit të biznesit në Pejë që falas ta stolisë sheshin e qytetit.

“Komuniteti i biznesit në komunën e Pejës ka shpreh gatishmëri që ta ndihmojë e ta përkrahë komunën e Pejës sivjet për dekorimin e qytetit. Pastaj nuk kemi pas nevojë të krijojmë shpenzime të dyfishta dhe kemi marr vendim që të anulohet ky aktivitet i prokurimit”, tregon Berisha arsyen pse është anuluar ky tender, për të cilin sipas tij ende nuk kishte aplikuar asnjë operator.

Mirëpo, nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, janë ngritur dyshimet se komuna i ka krijuar favore kompanisë që stolisi sheshin.

“Kemi informacione që si kundërvlerë për dekorimin e sheshit, komuna ia ka lejuar kësaj kompanie që të vendosë aparatet e kafeve në hapësirat e brendshme të objekteve të komunës”, pohoi Besnik Zeqiraj, sekretar i degës së LVV-së në Pejë.

Lidhur me këtë dyshim, drejtori i Administratës Komunale, Rexhep Kurtbogaj, ka pohuar se kompania ka leje, por që atë leje ai nuk e ka treguar.

“Më duhet ta gjejë lejen, sepse automatet e kafes janë vendosur në objektin e komunës para se jam bërë unë drejtor”, ka pohuar Rexhbogaj, që udhëheq këtë drejtori nga qershori i këtij viti.

Sipas tij, procedurat e konkurrimit për lejimin e shfrytëzimit të hapësirave komunale, janë kompetencë e Drejtorisë për Çështje Pronësore-Juridike.

KOHA ka kontaktuar drejtorin e kësaj drejtorie, Arianit Krasniqi, por ai ka refuzuar të flasë me arsyetimin se është i zënë. KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania Devolli lidhur me këtë temë, por deri në momentin e raportimit, nuk ka marrë përgjigje.

Që nga viti 2013, kur e ka marr udhëheqjen e kësaj komune koalicioni LDK-PDK, vetëm në vitin 2015 ishin shpenzuar 10 mijë euro nga arka e komunës për stolisje të sheshit për festat e fundvitit.

Për vitet tjera, 2016, 2017, 2018 dhe 2019 nuk është ndarë fare buxhet, derisa sheshi ishte stolisur nga disa biznese të Pejës.

Shuma prej 30 mijë euro që ishte planifikuar për dekorimin e qytetit, sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, ka qenë e ndarë nga buxheti i të hyrave vetanake të komunës.

“Tash këto mjete mund të barten në vitin e ardhshëm ose mund të shpenzohen në kategorinë për mallra e shërbime, aty ku ka nevojë komuna. Nëse nuk shpenzohen diku tjetër, mund t’i shfrytëzojmë edhe për t’i paguar shujtat e mësimdhënësve”, tregoi Abazaj.