Miliona euro do t’i shpenzojë Komuna e Drenasit në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, në të cilin që nga viti 2009 është investuar disa herë. Zyrtarët komunalë e kanë arsyetuar këtë investim me nevojën e rregullimit të infrastrukturës nëntokësore dhe hapësirave gjelbëruese. Për opozitarët ky investim është i panevojshëm, përderisa, sipas tyre, 22 fshatra janë pa ujësjellës e në shumë lokalitete mungon ndriçimi publik. Investimi në shesh përballet edhe me një sfidë tjetër – lënda e këtij projekti gjendet në OSHP
Komunarët e Drenasit i kanë çuar dëm investimet e deritashme në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, për t’i hapur rrugë investimit të ri prej 4.3 milionësh. Dhe, kjo nuk është hera e vetme që punohet e prishet në këtë shesh. Në vitin 2009, sheshi ishte ndërtuar me kubëza në formë të rrafshët dhe konsiderohej e arritur për pushtetin e atëhershëm komunalë. Në një pjesë të tij ishin vendosur shkallë që nuk qëndruan gjatë dhe pas tre vjetësh u hoqën. Më pas u ndërtua një fontanë, e cila u shkatërrua për t’iu bërë hapësirë shtatoreve të dëshmorëve. E, këtë vit, pos shtatoreve, gjithçka tjetër po hiqet nga sheshi.
Zyrtarët komunalë nuk kanë treguar se sa mjete janë shpenzuar në investimet e deritashme. Investimin e ri ata e kanë arsyetuar me infrastrukturën nëntokësore të vjetruar.
“Investimet paraprake që kanë ndodhur në shesh, nuk kanë pasur të përfshirë edhe infrastrukturën nëntokësore (kanalizim atmosferik dhe fekal) struktura e sheshit është ndërtuar mbi infrastrukturën e vjetër, e cila ka disa probleme sidomos në rrjetin e kanalizimit fekal i cili është i shtrirë nën sheh dhe është i domosdoshëm investimi. Po ashtu, sheshi si park rekreativ përpos hapësirës nuk i ka plotësuar nevojat për qytetarë për një qëndrim ditor të mjaftueshëm gjatë ditës dhe mbrëmjeve, si mangësi e gjelbërimit dhe pjesëve të tjera pushuese”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Drenasit.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas e kanë kundërshtuar investimin në këtë shesh, pasi, sipas tyre, qytetarët e kësaj komune kanë nevoja bazike.
“I kemi 22 fshatra në Komunën e Drenasit të cilët ende nuk kanë ujë të pijshëm, nuk kemi rrjet të shtrirjes së kanalizimit në të gjitha fshatrat e Drenasit, ndriçimi publik i cili ka qenë zotim i kryetarit Lladrovci që do të përfundojë në vitin 2022 akoma nuk ka përfunduar në të gjitha zonat e qytetit në Drenas, po ashtu as në fshatrat e Drenasit. Konsiderojmë se një investim prej 4.3 milionësh sa do të bëhet këtu në zgjerimin dhe ndërtimin e sheshit ‘Xhevë dhe Fehmi Lladrovci’ do të mund të shfrytëzohej më mirë në projekte që janë më të nevojshme për jetën e qytetarëve të Drenasit”, ka thënë kryetarja e Qendrës së LVV-së në Drenas, Egzona Tërdevci, njëherësh shefe e Grupit të kuvendarëve të kësaj partie.
Zyrtarët komunalë në përgjigje të akuzave të VV-së kanë thënë se janë duke investuar edhe në ujësjellës, edhe në ndriçim.
“Sa i përket ndriçimit publik dhe ujësjellësit ne jemi duke investuar me dy kontrata aktive në të gjitha fshatrat e Drenasit të cilat janë si projekte të veçanta dhe nuk ndërlidhen me investimet në shesh. Falë performancës së mirë kemi rritur vlerën e investimeve kapitale nga rreth 4 milionë, sa ka qenë për vitet paraprake, në 9.5 milionë në vitin 2023, me të cilat edhe jemi duke investuar në të gjithë infrastrukturën në Komunën e Drenasit”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Drenasit. “Komuna e Drenasit është duke investuar edhe në ndërtimin e kapacitetit të ujësjellësit, projekt dyvjeçar në vlerën 682.172.30 euro, ku përfshihen të gjitha vendbanimet dhe pastaj me përfundimin e projektit, do t’i dorëzohet njësisë së ujësjellësit ‘Prishtina’ në Drenas. Kontrata për ndriçimin publik janë lidhur dy kontrata brenda vitit 2023: Rregullimi i trotuarit dhe ndriçimit publik në Drenas, Komoran, Arllat, Tërstenik, Dobroshec dhe Baicë në vlerë 332.555.00 euro; dhe Rregullimi i trotuarit dhe ndriçimit publik Drenas, Komoran, Arllat, Tërstenik, Dobroshec, dhe Baicë Lot II në vlerë 270,004.00 euro”.
Punimet nisin, lënda në “gjykatën e tenderëve”
Punimet në këtë shesh kanë nisur, ani se lënda ende është në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Nisjen e punimeve, zyrtarët komunalë e kanë arsyetuar me përfundimin e afateve ligjore për marrjen e vendimit nga ana e OSHP-së.
“Pas pranimit të ankesës për rishqyrtim nga grupi i operatorëve ekonomikë të eliminuar në procedurën e prokurimit, Autoriteti Kontraktues ka hedhur poshtë ankesën e tyre, me ç’rast u është dhënë mundësia për ankesë në OSHP. Grupi i operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm të eliminuar kanë dorëzuar ankesë në OSHP. Ankesa është shqyrtuar nga eksperti shqyrtues i cili vendimin me të gjitha pikat e ka në favor të Komunës, pasi që në të njëjtën kohë dy nga operatorët ekonomikë të konsorciumit ankues, me deklaratë janë pajtuar me vendim të AK-së dhe janë tërhequr nga konsorciumi dhe nga e drejta për ankesë, për çka e bën edhe më të papërgjegjshëm operatorin ekonomik eliminues”, kanë theksuar zyrtarët komunalë nëpërmjet përgjigjeve me shkrim. “AK i është drejtuar OSHP-së me të cilin është pajtuar me mendimin e ekspertit, si dhe disa herë ka kërkuar përmes e-mailit që të merret për bazë mendimi i ekspertit dhe të përfundojë ky aktivitet i prokurimit me lidhjen e kontratës. Afatet ligjore për marrjen e vendimit nga apeli shqyrtues kanë kaluar të gjitha sipas ligjit të prokurimit dhe duke shfrytëzuar të drejtën e vet të diskrecionit”.
Raporti i ekspertit shqyrtues e vërteton daljen nga konsorciumi ankues të një operatori ekonomik, por nuk i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e konsorciumit ankues (3 i ka vlerësuar si të pabazuara, ndërsa 1 të bazuar).
Ndërsa zyrtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se vendimi rreth kësaj lënde të prokurimit nuk ka përfunduar për shkak të numrit të madh të ankesave dhe numrit të vogël të stafit.
“Lidhur me ankesën në fjalë, sqarojmë se vendimi nuk është lëshuar akoma nga ana e panelit si shkak i numrit të madh të ankesave sepse pothuajse që nga emërimi e deri në muajin tetot 2023, Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka funksionuar kryesisht vetëm me tre anëtarë dhe për rrjedhojë panelet shqyrtuese thuajse asnjëherë nuk janë emëruar në përbërje kolegjiale prej pesë anëtarëve. Nga ana tjetër, akoma administrata e OSHP-së ka mungesë serioze të stafit profesional i cili është më se i nevojshëm për realizimin e funksioneve mbështetëse për Bordin”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së. “Krahas rrethanave si më sipër, OSHP-ja në mënyrë të vazhdueshme përballet me një numër të konsiderueshëm të lëndëve, vëllimi i të cilave e tejkalon kapacitetin organizativ të këtij institucioni. OSHP-ja deri në vendimin përfundimtar nuk mund të lëshohet në pyetje që kanë të bëjnë me trajtimin e ankesës, përderisa për të njëjtat do t’i pranoni përgjigjet përmes vendimit të panelit, nëse janë pjesë e pretendimeve, rrethanave dhe fakteve përcaktuese të vendim-marrjes”.
VV ngre dyshime - fituesit e tenderëve janë financues të fushatës zgjedhore të Lladrovcit
Në Vetëvendosje kanë dyshime se tenderi për sheshin është i kurdisur.
“Si Vetëvendosje në Drenas kemi dyshimet që ky tender është i kurdisur nga Komuna e Drenasit. Lënda është në OSHP. Njëri nga konsorciumet që ka qenë i dyti në listë që ka dalë nga tenderi, ka bërë ankesë në OSHP. Ankesa është dorëzuar më 13 gusht të këtij viti. Ankesa është shqyrtuar nga OSHP-ja, ka një ekspertizë nga ekspertët e OSHP-së, por OSHP-zyrtarisht nuk ka marrë vendim. Komuna si Autoritet Kontraktues nuk guxon sipas ligjit që të japë tender pa dhënë një vendim OSHP-ja. Komuna e ka bërë këtë”, është shprehur Egzona Tërdevci. “Arsyeja pse po bëhet, ndoshta është për t’i shpërblyer njerëzit të cilët i kanë ndihmuar në kohë fushate, pasi që edhe dyshimet tona janë se tenderët në Drenas po jepen kryesisht për kompani të cilat e kanë ndihmuar z.Lladrovci gjatë fushatës në vitin 2021”.
Ndërtimi i sheshit është projekt trevjeçar dhe ndërtohet me mjete të grantit të performancës.
“Komuna e Drenasit, si fituese e grantit të perfomrancës për disa vjet me radhë e duke e llogaritur vitin e fundit, kur ka dalë në vendin e parë në këtë matje. Këtë vit me këto mjete është paraparë ky projekt i cili do të bëjë edhe zgjerimin e sheshit dhe rrjetit ekzistues dhe do të ketë një pamje me të bukur për qytetin. DEMOS do të investojë 1,118,387.08 euro, MAPL 916,388.00 euro dhe Komuna 2,353,402.00 euro”, kanë theksuar zyrtarët komunalë.
Në anën tjetër zyrtarët e MAPL-së thonë se përzgjedhja e projektit është bërë nga Komuna, ashtu siç i udhëheq edhe procedurat e prokurimit.
“Nga programi i grantit të performancës komunale, Komuna e Drenasit si përfituese ka përzgjedhur projektin Zgjerimi dhe ndërtimi i sheshit ‘Fehmi dhe Xhevë Lladrovci’ i cili bashkëfinancohet në vlerë prej 916.388,80 eurosh. Lidhur me procedurat e tjera, duke i përfshirë edhe ato të prokurimit, është përgjegjëse Komuna e Drenasit”, thuhet në përgjigjet e MAPL-së.
Përveç sheshit, Komuna e Drenasit i ka prishur edhe dy parkingje publike, të cilat po ndërtohen të reja.
“Parkingu i cili ndodhet te blloku i kuq në rrugën ‘Adem Mula’ është në ridizajnim për arsye të zgjerimit të shiritave të rrugës, e cila nuk ka përballuar hyrje-daljet në parking, gjithashtu parkingu ka qenë i punuar me kubëza të betonit, ku për shkak të ngarkesave ka pasur kohë pas kohe investime të domosdoshme. Në këtë projekt është duke u rregulluar ndriçimi, rregullimi i trotuarit, zgjerimi i rrugës dhe asfaltimi i parkingut. Ndërsa parkingu i cili është duke u ndërtuar të qendra tregtare një pjesë e tij ka qenë e parregulluar dhe pas investimeve dhe zgjerimit të rrugës ‘Ilaz Kodra’ e cila lidhet me rrugën regjionale, investimi në pjesën e mbetur si parking është i domosdoshëm duke eliminuar një pamje të shëmtuar në hyrje të qytetit”, janë arsyetuar zyrtarët komunalë.“
Kur janë pyetur për shumën, ata i kanë prezantuar dy shifra të ngjashme për dy parkingje të ngjashme.
“LOT I: Asfaltimi i parkingut tek qendra tregtare në Drenas në vlerën 319,607.50€, LOT III: Asfaltimi i rrugës ‘Adem Mula’, Asfaltimi i parkingut dhe rregullimi i trotuarit në vlerën 197,930.00 euro. LOT I: Asfaltimi i parkingut tek qendra tregtare në Drenas në vlerën 319,607.50€, LOT III: Asfaltimi i rrugës ‘Adem Mula’, Asfaltimi i parkingut dhe rregullimi i trotuarit në vlerën 197,930.00 euro”, thuhet në përgjigje.
Zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë sqarime nëse është ndonjë gabim, apo e kanë vlerën e njëjtë të ndërtimit të dy parkingjet.