Kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel ka vizituar në burg Milorad Ulemek Legia dhe pas bisedimeve ka treguar një letër që ia ka dhënë ky i fundit.
Në letër thuhet se Legia i jep Sheshelit autorizimin që lideri i radikalëve të nisë procedurën e rishikimit të vendimit gjyqësor, sipas të cilit ai është dënuar për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
Sheshel ka thënë se Legia nuk ka shprehur keqardhje për vrasjen e Gjingjiqit, për vrasjen e të cilit u dënua me 40 vjet heqje lirie, transmeton KosovaPress.
Sipas kreut të radikalëve, përveç rishikimit të rastit të vrasjes së Gjingjiq, duhet të bëhet edhe rishikimi i plotë i vrasjes së politikanit serb Ivan Stamboliq dhe gazetarit Sllavko Çuruvia.
Ai gjithashtu tha se te Legia ka shkuar, ashtu sikurse paralajmëroi edhe dje, "për të liruar së bashku Kosovën", për të cilën do të flasë nesër me Zvezdan Jovanoviq, i cili gjithashtu është dënuar me dënimin maksimal të burgimit për vrasjen e Gjingjiq.
"Unë do t'u dërgoj atyre një mesazh se Serbia është duke pritur që Legia dhe Zvezdan ta çlirojnë Kosovën së bashku, sepse sot kemi përfunduar, ne po tërhiqemi në qetësi dhe po largohemi", tha Sheshel.