Komuna e Prishtinës i ka vënë emër një sheshi që do të përfshihet në kuadër të sheshit të shumëpërfolur Xhorxh Bush. Ajo, përmes një seance vendosi që sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare të emërtohet Erhard Busek. Më pas u bë edhe një ceremoni në vendin e ngjarjes. Punimet në projektin për sheshin Xhorxh Bush janë ndaluar të mërkurën nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në mungesë të lejes
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vazhduar edhe të enjten punët për sheshin, ndërtimin e të cilit e ka ndaluar të mërkurën Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në mungesë të lejes.
Fillimisht në një seancë në Kuvendin Komunal u mor vendim që sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare të emërtohet sipas ish-politikanit austriak Erhard Busek, e më pas në hapësirën ku do të ngrihet sheshi u mbajt një ceremoni, ku u zbulua tabela me këtë emër.
Kryetari Rama tha se ky nuk është thjesht emërtim i një sheshi, por një moment historik për Kosovën dhe Austrinë.
“Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës, gjatë kohës kur studente e asaj kohë nuk kanë pasur mundësi të studiojnë. Ka qenë dr. Erhard Busek që i ka hapur mundësi me mijëra studentëve nga Kosova që të studiojnë, të avancohen të bëhen profesionist dhe tashmë edhe t’i ndihmojnë vendit tonë në hapa e radhës për të ardhmen e ndritshme të vendit”, tha Rama.
E ambasadori i Austrisë në Kosovë, George Schnetzer u shpreh se Busek do të ishte krenar për këtë shesh.
“Sot është vërtet një ditë historike. Sot shënohet trevjetori i ndarjes nga jeta të Erhard Busseck, dhe jam i sigurt se ai do të ishte shumë i nderuar dhe krenar që ky shesh, përpara Bibliotekës Kombëtare, shumë pranë Rektoratit të Universitetit dhe gjithashtu pranë Bibliotekës së Vogël Austriake brenda këtij objekti të Universitetit, po merr emrin e tij”, tha Schetzer.
Pak para zbulimit të tabelës, u mbajt seanca e jashtëzakonshme për miratimin e vendimit të emërtimit të këtij sheshi me emrin e ish-politikanit austriak, që ndihmoi shqiptarët e Kosovën, sidomos gjatë viteve ‘90.
Në seancë, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Gëzim Sveçla tha se po e mbyllin një sy për shkeljet procedurale, siç tha, për shkak të miqësisë që Kosova ka me Austrinë.
“Vëllazërimi mes këtyre dy popujve është i lidhur me përpjekjen për liri. Interesimi dhe angazhimi për Kosovën i Erhard Busekut daton qysh para lufte”, deklaroi Sveçla.
Sheshi “Erhard Busek” përfshihet në projektin e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”, punimet e të cilit filluan të hënën e u ndaluan dy ditë më vonë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.