Arbëri

Shërbimi për shtetësinë në Shqipëri i kalon privatit

Shërbimi për dhënien e shtetësisë në Shqipëri do të jepet me koncesion dhe do t’i kalojë privatit. Kjo do t’i hapë rrugë një skeme të shtetësisë për investitorë të huaj dhe të pasur.

Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri paralajmëroi qeverinë shqiptare se projekti i saj për ngritjen e një skeme të shtetësisë për investitorë të huaj dhe të pasur përbën rrezik për vendin si dhe mund të ndikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schenghen.

Vendimi nr.530 i Këshillit të Ministrave që mban datën 29 korrik, tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Në pikën numër 1 thuhet shprehimisht që qeveria vendosi “zbatimin e procedurave të koncesionit/partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë”. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Brendshme.

Deri më tani, dhënia e shtetësisë shqiptare ishte një proces i gjatë, ku përfshihen disa institucione, madje edhe ato të sigurisë, ndërsa gjithçka merrte formë me një dekret që mbante nënshkrimin e Presidentit të Republikës.

Kosova renditet e treta për numrin e të huajve rezidentë që kanë kërkuar leje qëndrimi në Shqipëri që i paraprin marrjes së shtetësisë shqiptare. Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), të huajt me origjinë nga Kosova që kanë kërkuar leje qëndrimi për vitin 2021 janë 1.869 banorë, duke shënuar një rritje me 21,2%, krahasuar me 2020.

Në vendimin e 29 korrikut nuk jepen detaje se si mund të aplikohet, apo se si do të veprohet me këtë proces.

Me rregullat e vjetra, shteti shqiptar për çdo aplikim arkëtonte vetëm 30 euro dhe nuk dihet se sa mund të përfitojë koncesionari nga ky proces. Ngritja e një skeme për shitjen e pasaportës shqiptare është një ide e vjetër e kryeministrit Edi Rama, e cila u rikthye në qendër të vëmendjes pas miratimit të një vendimi më 29 korrik, përmes së cilës i hapet rrugë kontraktimit përmes koncesionit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e e pasaportës shqiptare në botë.

Delegacioni i BE-së theksoi se qëndrimi i KE-së rreth një skeme të shtetësisë për investitorë të huaj, u ishte bërë i qartë autoriteteve shqiptare përmes disa raporteve të Komisionit Evropian, raportit të tretë dhe të katërt për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave si dhe në disa takime të zhvilluara me zyrtarë të BE-së gjatë viteve të fundit.

Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së.

“Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim që lidhet me futjen e mundshme të një skeme të shtetësisë për investitorët në Shqipëri,” deklaron delegacioni i BE-së në Shqipëri.