Spitali Rajonal i Prizrenit ka nisur t’i ofrojë të gjitha shërbimet maksilofaciale brenda Repartit të ORL-së, kanë njoftuar të hënën drejtuesit e këtij institucioni shëndetësor. Mjekët kanë bërë thirrje që pacientët e këtij rajoni të drejtohen te ky spital dhe të mos marrin rrugën deri në Prishtinë për këto shërbime
Drejtuesit e Spitalit Rajonal të Prizrenit kanë njoftuar të hënën se shërbimet maksilofaciale ofrohen brenda Repartit të Otorinolaringologjisë (ORL) të këtij institucioni shëndetësor. Ndërsa mjekët e këtij shërbimi kanë bërë thirrje që pacientët e rajonit të Prizrenit, sikurse edhe ata të Kukësit, të drejtohen në këtë spital për këto shërbime, dhe të mos shkojnë deri në Prishtinë, përkatësisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Mjeku specialist, Hivzi Shabani, u ka bërë thirrje kolegëve të tij që pacientët e këtij rajoni, sidomos ata me aftësi të kufizuara, t’i drejtojnë në Spitalin e Prizrenit.
“Lusim gjithë kolegët, sidomos stomatologët që janë në mjekësinë primare që e kanë kontaktin e parë me pacientët me aftësi të kufizuara, me nevoja të veçanta, që mos t’i dërgojnë në Prishtinë, por t’i dërgojnë këtu. Ne jemi në gjendje që t’i kryejmë të gjitha shërbimet që ata kanë nevojë dhe është shumë e mundimshme që këta pacientë të dërgohen në QKUK. Edhe ngarkesë bëhet atje, edhe është e mundimshme për pacientët. Këto shërbime tash e tutje i kryejmë në Spitalin e Prizrenit dhe nuk ka nevojë të dërgohen në asnjë qendër tjetër”, ka thënë Shabani.
Drejtori mjekësor i këtij spitali, Hasan Arzoallxhiu, ka theksuar se njësia e kirurgjisë maksilofaciale pranë Repartit të ORL-së është aktivizuar me katër mjekë specialistë.
“Jemi munduar që t’i krijojmë kushtet në mënyrë që ata të kryejnë operacione, të cilat deri më tani nuk janë kryer në Spitalin Rajonal”, ka deklaruar ai.
Ndërsa drejtoresha e Spitalit, Narqize Arënliu-Hoxhaj, ka bërë të ditur se brenda 4 muajve të fundit janë realizuar disa riorganizime, me qëllim të ofrimit të shërbimit për pacientët e këtij rajoni.
“Jemi munduar t’i bëjmë disa riorganizime, apo edhe t’i avancojmë disa shërbime, të cilat përpara kanë qenë më të zbehta apo edhe s’kanë funksionuar fare”, është shprehur ajo.
Në kuadër të kirurgjisë maksilofaciale në Spitalin e Prizrenit trajtohen traumat, infeksionet e patologjitë e ndryshme maksilofaciale.