Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, nga e premtja edhe zyrtarisht e mban emrin e humanistit dhe mjekut Gani Demolli. Në përurimin e vendosjes së shenjës përkujtimore, Demolli u vlerësua për kontributin e dhënë për shëndetësinë në periudhën më të rëndë të Kosovës
Rreth 25 vjet që pas çlirimit të Kosovës, Komuna e Prishtinës e nderoi figurën e mjekut dhe humanistit, Gani Demolli, emrin e të cilit, nga kjo e premte, do ta mbajë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
Në ceremoninë e përurimit të vendosjes së shenjës përkujtimore të Dr. Gani Demollit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare merr kuptim me bartjen e emrit të humanistit.
“Sot në këtë ditë të veçantë për vetë qendrën kryesore të mjekësisë familjare dhe kryeqytetin jemi mbledhur bashkë që t’i japim trajtë e kuptim përmes vënies së emrit të këtij institucioni. Dr. Gani Demolli, emri tij dhe vepra profesionale, humane e morale do të përjetësohen tash e tutje në këtë institucion që çdo ditë jep ndihmë mjekësore e shërbime profesionale janë mbi të gjitha njerëzore”, u shpreh Rama.
Drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se me këtë nderohet sakrifica e burrave dhe grave që punuan në vitet më të vështira të Kosovës për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, në atë që u kthye në një sistem të mirëfilltë shëndetësor.
“Me këtë veprim, ne po nderojmë veprën dhe punën e atyre mijëra mjekëve infermierëve, punëtorëve teknikë, shoferëve, pronarëve të cilët lëshuan shtëpitë e tyre dhe mundësuan formimin dhe zhvillimin e sistemit, siç njihej atëherë, paralel të shëndetësisë së Republikë së Kosovës”, tha Sadiku.
E Haki Demolli i falënderoi të gjithë ata që kontribuuan që qendra kryesore e mjekësisë familjare ta mbajë emrin e vëllait të tij.
“Do të shfrytëzoj rastin që një falënderim të posaçëm t’ia bëjë bashkëveprimtares së doktorit, Flaka Surroit, e cila në ditët më të vështira, së bashku me Ganiun, kanë vepruar në tërë territorin e Kosovës, e po ashtu ka qenë shumë aktive deri te procesi i ardhjes deri tek ky vendim”, deklaroi vëllai i Gani Demollit.
Demolli ka vdekur në vitin 2014. Kontributi i tij nëpërmjet shërbimit “Nënë Tereza” ka përshirë gjithë territorin e Kosovës, në mbi 100 qendra të krijuara, me 1 mijë e 700 punonjës vullnetarë të angazhuar.