Kompromiset e vështira janë ato që nevojiten të bëhen për rrugën drejt përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe, ka thënë zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska. Në një intervistë për KOHËN, ajo ka ripotencuar se siguria në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbart peshë e rëndësi të madhe për Aleancën Veriatlantike. Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për marrëveshjen ushtarake të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë
Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka vlerësuar se rruga e Kosovës për t’u bërë pjesë e programit të Aleancës, Partneritetit për Paqe, kërkon kompromise të vështira.
Në një intervistë për KOHËN, ajo e ka përmendur shembullin e shtetit të saj, Maqedonisë së Veriut, që është bërë pjesë e Aleancës Vetiatlantike ushtarako-politike në mars të 2020-s.
Megjithëse për këtë synim Maqedonia e Veriut është detyruar t’i ndërrojë emrin dhe kushtetutën, Shekerinska ka theksuar se kompromiset ia kanë vlejtur.
KOHA: Zonja Shekerinska, para së gjithash, ju faleminderit për këtë intervistë! Pak ditë më parë keni pasur takim me të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Në këtë rast ju e keni shprehur mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Por dialogu ndodhet në ngërç, nuk ka pasur takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qysh prej shtatorit të 2023-tës, pak ditë para sulmit në Banjskë. Duke i pasur parasysh krejt këto, cilat janë pritjet e NATO-s nga palët në dialog dhe çfarë prisni se do të sjellë emisari i ri në këtë proces?
Shekerinska: Sikurse e keni përmendur, NATO-ja ka qenë aktive në rajon prej goxha shumë kohësh, kemi qenë të pranishëm nëpërmjet KFOR-it për një periudhë të gjatë. Ky është misioni ynë më i gjatë dhe më i fortë në këtë moment dhe kjo flet shumë qartë për përkushtimin tonë, flet shumë qartë njashtu për qëndrimet e aleatëve se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për Aleancën. Nuk është e lehtë t’i bindësh aleatët të dërgojnë kaq shumë trupa dhe t’i mbajnë aty për kaq kohë të gjatë. Por ne të gjithë kemi thënë përherë se misioni i KFOR-it është i qartë, ta ruajë sigurinë dhe t’i mbajë njerëzit në Kosovë të sigurt. Kjo nuk e zgjidh problemin, andaj synimi i KFOR-it është që të krijojë, në një mënyrë, siguri ushtarake me qëllim që të mbështetet dialogu i udhëhequr nga BE-ja. Ne u kemi bërë thirrje si Beogradit ashtu edhe Prishtinës për qasje konstruktive për sa i përket dialogut, prandaj kjo është arsyeja përse ne e mbështesim plotësisht përfaqësuesin e posaçëm të ri për këtë dialog të udhëhequr nga BE-ja, z. Sorensen, dhe kjo ka qenë arsyeja përse e kam takuar vetëm pak kohë më parë. Kjo mbase është çështja, ku bashkëpunimi i NATO-s dhe i BE-së është më i dukshëm dhe më i nevojshëm. Andaj, në fund të fundit, do të jetë në dorën e liderëve që t’i japin këtij dialogu politik një mundësi për sukses, për të zbatuar çfarëdo që është dakorduar më herët dhe për ta lëvizur rajonin nga ngërçi që e kemi parë së fundi. Por, nuk ka zgjidhje magjike, nuk ka përparime që NATO-ja apo BE-ja mund t’i ofrojnë. Duhet të ketë vullnet politik si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për përparim. E kemi vlerësuar progresin që është arritur në të shkuarën, por besojmë se tani duhet të ecim përpara dhe kjo është ajo që ne dëgjojmë se është pritja nga ana e BE-së. Përfaqësuesja e lartë porsa ka njoftuar për vizitën e saj në rajon dhe ne besojmë se kjo do t’i japë shtysë dialogut politik.
KOHA: Për sa i përket sulmit në Banjskë, si dhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj KFOR-it në Zveçan, në të cilin më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s janë lënduar, sekretari i përgjithshëm, Mark Rutte, së fundi përmendi se ka biseduar me presidentin Vuçiq lidhur me këtë rast dhe ka thënë se Serbia duhet të punojë në llogaridhënie. A keni marrë ndonjë garanci nga Serbia se ajo do t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë së shpejti?
Shekerinska: Sekretari i përgjithshëm ka pasur pak kohë më parë një vizitë në rajon, ai po ashtu e vizitoi KFOR-in. Edhe unë isha aty, por ç’është më e rëndësishmja, i gjithë Këshilli Veriatlantik na është bashkuar për këtë vizitë. Flet bukur zëshëm kur të gjithë aleatët, me praninë e tyre, me pjesëmarrjen e tyre, e shfaqin përkushtimin. Para se sekretari i përgjithshëm ta kishte vizitën në Prishtinë, ai ka folur me presidentin e Serbisë, Vuçiq, dhe e ka takuar edhe më pas. E njëra prej porosive që në vazhdimësi është dërguar është pritja jonë e vendosur për dhënie të përgjegjësisë rreth atyre që janë përfshirë në incidentin e Banjskës dhe në sulmet ndaj KFOR-it. Andaj kjo është ajo çfarë ne presim nga Serbia, si partnere jonë.
KOHA: Gjatë marsit, një marrëveshje për aleancë ushtarake është nënshkruar midis Kosovës dhe dy shteteve anëtare të NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo ka nxitur reagime të forta në Serbi. Si e sheh NATO-ja këtë aleancë dhe çfarë implikimesh ka ajo për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor?
Shekerinska: Siç e përmendët, Kroacia dhe Shqipëria janë aleatët tanë të besuar, ato kanë qenë njashtu shumë mbështetëse dhe kanë marrë pjesë në KFOR për goxha kohë. Ne në fakt e dimë se mund të llogarisim në to për sa i përket mbështetjes për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja së cilës iu referuat nuk është një marrëveshje në të cilën NATO-ja është pjesë, por aleatët tanë, bazuar në traktatin tonë, janë të lirë që të kenë kontrata apo marrëveshje jashtë ombrellës së NATO-s, siç ata e vlerësojnë të përshtatshme. Andaj, kjo nuk është një gjë që i përket, le të themi, terrenit të Aleancës, por e vlerësojmë vërtet shumë përkushtimin si të Kroacisë ashtu edhe të Shqipërisë për rajonin dhe për stabilitetin. Dhe kjo edhe është arsyeja përse ministrat e tyre folën shumë fuqishëm në favor të stabilitetit të rajonit, në takimin dyditor (të ministrave të Jashtëm të NATO-s).
KOHA: Ju vini nga Maqedonia Veriore, një shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe fqinji më i afërt i Kosovës. Cili do të ishte mesazhi juaj për vendet e rajonit në përgjithësi dhe veçanërisht për Kosovën, cilat janë gjasat e Kosovës për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe?
Shekerinska: Unë vij nga një shtet që është munduar t’i bashkohet NATO-s për tri dekada, pra tridhjetë vjet. Ka pasur kohë kur jemi zhgënjyer dhe kemi besuar se synimi kurrë nuk do të arrihet. Ka pasur edhe kohë kur kemi besuar se anëtarësimi është matanë rrugës. Nuk mund të relaksoheni kur kohërat janë të mira dhe nuk do të duhej të zhgënjeheni kur kohërat janë të këqija. Por çfarë unë mendoj se ne sjellim si mësim për rajonin dhe e kam praktikuar atë që po e them, është se ka vlerë në kompromis politik. Nëse e dini synimin tuaj, nëse e dini se cili është interesi i vendit tuaj dhe i popullit tuaj dhe në rast se përqendroheni në këtë synim, ndonjëherë kompromiset janë të dhembshme, por ia vlejnë. Vendi im është dashur të kalonte nëpër një proces të brendshëm pajtimi, shumë njerëz besuan se kompromiset janë shumë të vështira për t’u kapërdirë dhe për t’u duruar. Na është dashur të kalonim nëpër negociata të vështira me njërin prej fqinjëve tanë, e ndryshuam Kushtetutën tonë porse sot edhe njerëzit që e kanë kundërshtuar, edhe ata pajtohen se ia ka vlejtur dhe se të qenit pjesë e Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit ia jep tani shtetit tonë fuqinë, stabilitetin dhe prosperitetin që qytetarët e presin. Andaj, po, kompromiset politike janë të kushtueshme, janë të kushtueshme për ne si politikanë, porse janë përherë përfituese për qytetarët dhe mendoj se mesazhi që e dërguam është se shteti është më i rëndësishëm sesa ne.
KOHA: Ju faleminderit edhe një herë për këtë mundësi!