Arbëri

Shea e quan inkurajues bashkëpunimin ushtarak Kosovë - Shqipëri - Kroaci

Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, e ka quajtur inkurajues deklaratën për bashkëpunim ushtarak në mes të Kosovës, Kroacisë dhe të Shqipërisë.

Ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të të tri shteteve nuk është drejtuar kundër Serbisë.

“Të tria vendet e kanë bërë të qartë se marrëveshja e tyre e mbrojtjes nuk është e drejtuar kundër Beogradit, por është krijuar për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Është domethënëse që vendet e tjera në rajon kanë treguar shpejt një interes për t'iu bashkuar marrëveshjes trepalëshe. Është inkurajuese që vendet e rajonit po marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe e bëjnë këtë duke ndihmuar njëri-tjetrin”, ka thënë Shea për televizionin publik.

Tri shtetet e nënshkruan më 18 mars në Tiranë marrëveshjen për aleancë ushtarake. E të shtunën, u publikua teksti i plotë i marrëveshjes.

Ka pasur reagime të shumta nga Serbia për këtë marrëveshje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996. Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët.