Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është deklaruar mbi mbylljen e institucioneve paralele serbe sot në Kosovë, duke thënë se këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut.
“Veprimet e vazhdueshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera dhe minojnë aspiratat e Kosovës për t'iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës në rrjetin X.
Sipas tyre këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç thuhet, në mënyrë që të avancojë normalizimin dhe integrimin e Kosovës si një demokraci moderne, multietnike, evropiane dhe të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të saj.
Tutje thuhet se SHBA-ja ka investuar shumë në Kosovë, siç theksohet, “duke punuar në partneritet me liderët e saj për të realizuar interesat tona të përbashkëta afatgjata”.
“Këto veprime të pakoordinuara, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e Ambasadës së SHBA-së është bërë pas aksionit të Policisë së Kosovës për të mbyllur struktura paralele të Serbisë në 10 komuna, i cili është zhvilluar të mërkurën.
Ai u pasua nga një sërë reagimesh të ndërkombëtareve për aksionin për mbylljen e strukturave paralele, të cilët kritikuan institucionet e Kosovës, ndër të tjera për mënyrën dhe kohën e mbylljes së tyre.