Arbëri

SHBA-ja ndan 2.5 milionë dollarë ndihmë për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përmes Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) – kanë njoftuar për ndarjen e 2.5 milionë dollarëve si ndihmë për Kosovën në luftën ndaj COVID-19.

“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë - që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19”, ka thënë drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

USAID-i ka dhuruar më shumë se 2.6 milionë dollarë amerikanë më herët për Kosovën për luftën ndaj COVID-19. Vitin e kaluar, USAID-i ka shpërndarë 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore, 7750 komplete higjienike për familjet dhe 2400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat. Po ashtu janë dhuruar edhe komplete higjienike për 660 shkolla fillore e të mesme.

Krahas kësaj, SHBA-ja ka dhuruar 50 respiratorë e pajisje laboratorike të testimi dhe skanerë termikë për vendosje në terminale të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë Aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore. SHBA-ja ka dhuruar edhe 538 mijë doza të vaksinës “Pfizer”.

Sipas USAID-it, për 20 vjet SHBA-ja ka dhuruar ndihmë shëndetësore për Kosovën në vlerë mbi 10 milionë dollarë.

“Sëmundjet nuk njohin kufij. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë në partneritet me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, zbutur pasojat e saj shkatërrimtare sociale dhe ekonomike, dhe rindërtuar një botë edhe më të përgatitur ndaj shpërthimeve të sëmundjeve në të ardhmen”, thuhet në njoftim të USAID-it.