Rasti i pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova nga Ministria e Tregtisë është pranuar të martën nga Gjykata Komerciale dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtarët e këtij institucioni.
E të njëjtën ditë, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ftoi konferencë për të folur e arsyetuar vendimin ndaj këtij biznesi, por u bojkotua nga shumica e gazetarëve në mbështetje të Klanit.
“Ka qenë zbatim i ligjit, as më shumë dhe as më pak. Pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim të kufizojë lirinë e medias, janë tendencioze dhe krejtësisht të pavërteta. MINT është e përkushtuar në zbatimin e ligjeve të Kosovës pa kompromis, pa përjashtim”.
Hajdari ka thënë se përveç ndaj Klan Kosovës, janë bërë edhe katër kallëzime penale për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Bizneseve lidhur me veprimet e tyre në rastin e regjistrimeve të bizneseve me përmbajtje jokushtetuese. Po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet e Klan Kosovës se dokumentet që prezantoi Ministria një ditë më parë janë të vjetra.
“Në raportin e Komisionit që ka shqyrtuar ankesën e Klan Kosovës ka ardhur njoftimi se në ditën e vendimmarrjes së Komisionit është zbarkuar regjistri i pronarit të vërtetë në Maqedoninë e Veriut, në ditën që kanë marrë vendim është regjistri i fundit, pasi çdo ditë kanë shikuar përditësimet dhe dita e fundit është ajo ditë kur është zbarkuar edhe regjistri i pronarëve të vërtetë”.
Për këtë çështje, të martën ka folur edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier. Ai ka kërkuar transparencë nga Qeveria.
“Ne nuk e shohim këtë thjesht si një çështje të regjistrimit të biznesit, ne e shohim këtë si një çështje të lirisë së medias dhe po e trajtojmë si të tillë. Është mirëkuptimi ynë bazuar në atë që kemi dëgjuar nga pronarët e Klan Kosovës se ata kanë dorëzuar dokumente të reja që adresojnë shqetësimet specifike të parashtruara, dhe thonë se sa herë që një qeveri merr një vendim që mund të ketë ndikim në aftësinë e një.”
Një ditë më parë janë publikuar edhe emrat e 48 bizneseve të tjera, që sipas Ministrisë së Tregtisë kanë përmbajtje kundërkushtetuese. Pesë prej tyre iu është pezulluar certifikata e bizneseve, ndërsa veprime të ngjashme janë paralajmëruar edhe për 43 të tjerat.