Lidhja Demokratike e Kosovës pret që kryeministri Albin Kurti të mos iu qëndrojë pas kushteve të vëna për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Reagime për moszhvillimin e takimit mes Kurtit e Vuciqit, ka pasur edhe nga SHBA-ja e Serbia
Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O`Brien, e konsideron mundësi të humbur për Kosovën dhe Serbinë, moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën.
Në një reagim në Twitter, të enjten, pas mosrealizimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, O`Brien ka kërkuar përkushtim më të madh të palëve në këtë proces.
“Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, ka thënë O’Brien.
Pas zhvillimeve të së mërkurës në Bruksel, ka reaguar edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Sipas saj, Kurti ka dëshmuar se nuk dëshiron dialog.
“Mendoj se edhe një herë është treguar pa mëdyshje se Kurti nuk dëshiron dialog, asnjë bisedë. Ai po ashtu me këtë gjest ka përsëritur se nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen e Brukselit, të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, dhe përshtypja ime është se ai nuk duhet të ulet përballë presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse ai ka argumente, nuk ka frikë të thotë të vërtetën dhe nuk turpërohet të kërkojë përgjigje”, ka deklaruar ajo.
Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti, kushtëzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me nënshkrimin e marrëveshjes së dakorduar një vit më parë, tërheqjen e Serbisë nga letra e Bërnabiqit se nuk do të zbatojë marrëveshjen dhe dorëzimin e Milan Radojçiqit e grupit të tij që kryen sulmin në Banjskë.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, kushtet e vendosura nga kryeministri janë për konsum të brendshëm politik e elektoral.
“Nuk është hera e parë që kryeministri Kurti vendos kushte dhe ato pas një periudhe as një javë i shkel. Ato kushte ka mundur t’i paraqes edhe nga Kosova dhe të mos shkojë fare në Bruksel, mos të harxhoj madje as biletë me paratë tona dhe të hajë drekë e të flejë. Ato kushte ka mundur t`i paraqes nga Kosova dhe ndërmjetësitë e kishin ditë nëse është i nevojshëm shkuarja në Bruksel ose jo. Taktizim i ulët, për qëllime krejtësisht të brendshme elektorale”, ka thënë Driton Selmanaj, deputet i kësaj partie.
Kryeministri Kurti e presidenti i Serbisë, Vuciq, për herë të fundit janë takuar në shtator të vitit të shkuar. Derisa takim mes tyre nuk pritet të ndodhë së shpejti, një i tillë është paralajmëruar për të martën mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.