“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë. E ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja pajtohet me qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga Bashkimi Evropian (BE) lidhur me bllokimin e qindra qytetarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe me Hungarinë. “Z. Stano ishte mjaft i qartë në këtë çështje dhe se si BE-ja i sheh gjërat. Ne pajtohemi me BE-në. SHBA-ja pret që të gjitha zotimet e arritura përmes dialogut të zbatohen plotësisht nga Serbia dhe Kosova”, ka thënë ai
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u ka kërkuar autoriteteve në Serbi që ta lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë, Dejan Jankoviq, i cili është ndaluar të mërkurën në pikëkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë në Jarinjë.
Në një deklarim për media të enjten, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier ka bërë të ditur se është diskutuar mbi ndalimin e dhjetëra zyrtarëve policorë, përfshirë Jankoviqin, të cilit Serbia ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishjen e rendit kushtetues të Serbisë.
“Jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë që lidhet me komunitetin serb dhe që adresohen nga Policia e Kosovës. Për shembull, ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive”, ka thënë Hovenier.
Ai ka bërë të ditur se SHBA-ja pajtohet me qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga Bashkimi Evropian (BE) lidhur me bllokimin e qindra qytetarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe me Hungarinë. Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se veprimi i Serbisë përbën shkelje të Marrëveshjes për lëvizje të lirë.
“Z. Stano ishte mjaft i qartë në këtë çështje dhe se si BE-ja i sheh gjërat. Ne pajtohemi me BE-në. SHBA-ja pret që të gjitha zotimet e arritura përmes dialogut të zbatohen plotësisht nga Serbia dhe Kosova”, ka thënë ai.
E Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) i ka bërë thirrje Serbisë të enjten që të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, ndërsa ka shprehur pritjen që autoritetet serbe ta lirojnë menjëherë zëvendësdrejtorin e Policisë, Jankoviq. DASH-i u ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë. Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se Serbia ka ndaluar mbi 1400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë, nëntë prej të cilëve janë liruar. Sipas DASH-it, Marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë. Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, kanë thënë në DASH.
Lirimin e zyrtarëve policorë të ndaluar nga Serbia e ka kërkuar të enjten edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tek ka thënë se veprimet e tilla nuk priten nga një vend që është kandidat për anëtarësim në BE-së.
“Shtensionimi tani! Ndalimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës, përfshirë serbë, nga autoritetet e Serbisë, është i papranueshëm dhe sigurisht jo ajo që mund të pritet nga një vend kandidat i BE-së. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që edhe politikanët serbë të flasin për bashkëqytetarët e tyre”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.
Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog. Udhëheqësit shtetërorë në Kosovë kanë thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës është bërë “në shenjë hakmarrjeje” pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) e mbështeti më 16 prill anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.