Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar mesazh falënderimi e mirënjohjeje Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për bashkëpunimin në avancimin e marrëdhënieve, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.
Në mesazhin e dërguar të hënën, Biden tha se si aleatë të NATO-s, dy shtetet kanë punuar së bashku për të mbrojtur demokracinë në të gjithë botën.
“Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë, si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, thuhet në letrën dërguar presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Biden tha se e vlerëson ndihmën e Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe
ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh.