Ushtari i FSK-së, Endrit Shatrolli, dhe kolegu i tij kroat Jan Vajcner, triumfuan në garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2025”, që e ka organizuar FSK-ja në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj. Të dy u shprehën krenarë për arritjen
Testi fizik, gjuajtja me armë të gjata dhe të brezit, navigimi tokësor, hedhja e granatës dhe dhënia e ndihmës së parë, janë disa nga sfidat që i kaluan 44 ushtarë vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë pesë ditëve në garën “Ushtari më i mirë 2025”, e organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në të dolën dy fitues. Nga Kosova triumfoi ushtari i FSK-së Endrit Shatrolli, e nga ndërkombëtarët ushtari kroat Jan Vajcner. Të dy u dekoruan në ceremoninë përmbyllëse të garës, që u mbajt në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
Shatrolli tha se ndihet krenar për arritjen.
“Gara ka shkuar mirë. Ka qenë diçka sfiduese, diçka profesionale. Ndihem i kënaqur që kam zënë vendin e parë për vitin 2025, ushtari më i mirë. Për mua është nder dhe privilegj”, është shprehur Endrit Shatrolli.
Sfiduese dhe profesionale e vlerësoi garën edhe kolegu i tij kroat, Vajcner, të cilin aktiviteti “Ushtari më i mirë” e solli për herë të parë në Kosovë.
“Është nder i madh për mua që ta zë vendin e parë, si ushtari më i mirë. Ka pasur pjesëmarrës të mrekullueshëm, garues të ndryshëm, kështu që në fund unë kam qenë më i miri. Ndoshta dikush tjetër do ta fitonte vendin e parë, por ndoshta isha edhe me fat”, ka thënë ushtari nga Kroacia, Jan Vajcner.
Zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cakiqi, ka thënë se gara e ushtarit më të mirë përfaqëson disiplinën, përkushtimin dhe bashkëpunimin e profesionit të ushtarit.
“Pa dyshim që gara e ushtarit më të mirë është thjesht një test i aftësive fizike të secilit prej jush, por veçanërisht është një ushtrim i disiplinës, i përkushtimit por edhe i koordinimit dhe bashkëpunimit në vazhdimësi e të gjithë neve. Krejt kjo e përkufizon profesionin ose e definon profesionin tonë të ushtarakut, të vëllait në armë, të motrës në armë që tregon edhe shpirtin e luftëtarit të secilit prej jush”, u shpreh gjeneralmajor Cakiqi.
E zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, theksoi rëndësinë që gara ka në kuadër të bashkëpunimit me shtetet partnere.
“Ky afrim, kjo punë e përbashkët, kjo garë e përbashkët, këto shkathtësi tuajat na e bëjnë neve të qartë, “politikanëve” dhe politikës që të mendojmë të krijojmë relacione dhe të kemi shembuj nga ju se si bashkëpunohet dhe si bashkëveprohet”, ka thënë Syla.
Gara ndërkombëtare “Ushtari më i mirë” është një aktivitet vjetor i FSK-së që mbledh pjesëmarrës nga ushtritë e vendeve partnere për të testuar aftësitë e tyre ushtarake.
Këtë vit, ajo u organizua nga data 21 deri më 25 prill në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, me pjesëmarrjen e 44 garuesve, nga të cilët 23 janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.