Ruajtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë, janë garancitë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhënë Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por këto, sipas Demush Shashës, s’po e bindin Qeverinë e Kosovës.
Drejtori i Institutit EPIK deklaroi të hënën për KOHËN se në këtë situatë, shoqëria civile ka marrë barrën e funksioneve ekzekutive, ndërsa ekzekutivi atë të shoqërisë civile.
“Aleatët e Kosovës kanë bërë punën e tyre. Ata kanë ofruar të gjitha garancitë e nevojshme për ruajtjen e sovraniteti, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës në kuadër të dialogut. Pjesa tjetër është përgjegjësi e Qeverisë”, deklaroi Shasha.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi dhe pronësi mbi procesin e themelimit të Asociacionit, e injorimi i këtij, sipas Shashës, po krijon hendek “i cili është i mbushur nga akterë të tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë”.
Por nga plani euro-amerikan, Shasha tha se edhe Serbia do të përfitojë.
Pozita e lidershipit në rajon, rruga drejt Bashkimit Evropian dhe trajtimi preferencial financiar janë disa prej benefiteve që sipas drejtorit të EPIK-ut do të nxirren nga Serbia.
“Serbia përfiton disa gjëra. E para, Serbisë po i njihet lidershipi i rajonit. Pra, për dallim nga vitet ‘90 kur Serbia është parë si ‘problem’ i rajonit, sot ajo shihet nga Perëndimi si ‘mundësi’. Pra, konstruktiviteti i Serbisë në stabilitetin e rajonit e shpërblen atë me njohjen e lidershipit të saj në rajon si vend më i madh politik, ekonomik dhe ushtarak. E dyta, lidershipi politik i Serbisë do të fitojë legjitimitet të konsiderueshëm demokratik nga Perëndimi për rolin e tij në avancimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe rrjedhimisht promovimin e stabilitetin, në sfondin e luftës në Ukrainë. E treta, Serbia do të avancojë ndjeshëm në rrugën e saj integruese në BE dhe do të fitojë trajtim preferencial financiar nga BE-ja dhe SHBA-ja”, u shpreh ai.
Status-quoja, për Shashën, mund të përfundojë nëpërmjet propozimit euro-amerikan, si mundësi për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe avancim të pozitës ndërkombëtare.
“Është e qartë se në këtë drejtim ngritja e Asociacionit është element thelbësor dhe është përgjegjësi e Qeverisë që të ofrojë alternativat e saj për ngritjen e Asociacionit. Injorimi nga ana e saj i këtij obligimi po krijon hendek i cili është duke u mbushur nga akterë të tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë. Kjo nuk është qasja e duhur. Obligimi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve u takon organeve legjitime shtetërore dhe rrjedhimisht është Qeveria ajo që duhet të tregojë përgjegjësi dhe pronësi mbi këtë proces”.
Analisti politik e ndërlidh ngushtë procesin e dialogut në Bruksel me avancimin e Kosovës.
“Kosova është në një udhëkryq të rëndësishëm shtetndërtues. Synimet tona për liberalizimin e vizave, anëtarësim në BE, NATO, Këshill të Evropës, UNESCO, etj., është drejtpërdrejt i lidhur me avancimin e dialogut. Është infantile të mendohet se Kosova mund të avancojë këto procese pa bërë progres në dialog. Për të kuptuar këtë nuk duhet të ngremë hipoteza për të ardhmen, por vetëm të njohim të kaluarën: çdo hapërim i derisotëm i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë rezultat i avancimit të dialogut”.