Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIC, ka nxjerr tri gjëra pozitive nga Raporti i Progresit për Kosovën, që sipas tij, nuk ishin përmendur në raportet e kaluara.
Raporti është publikuar të mërkurën, nga Komisioni Evropian, ndërkohë ai i është dorëzuar edhe presidentes dhe kryeministrit.
“1. Për herë të parë në histori raporti nuk ka identifikuar si të gjetur ‘politizimin’ e institucioneve të pavarura publike dhe shërbimit civil; 2. Për herë të pare RTK-ja nuk dyshohet për ndikim politik, por përkundër vlerësohet lartë për procesin e emërimit profesional, transparent dhe bazuar në meritë të bordit të ri të RTK-së; 3. Ndryshe nga gjuha e vitit të kaluar kur qasja e qeverisë ndaj vettingut është cilësuar si ‘shqetësim serioz’, kësaj radhe cilësohet e ‘mirëseardhur’. Kjo nuk është sepse ka ndryshuar qëndrim BE-ja, por sepse Qeveria është dakorduar të respektojë rekomandimet e Venedikut”, ka shkruar ai të mërkurën në Facebook.
Ai ka paralajmëruar se do të shtjellojë të gjeturat e raportit në vështrimin e tij të rregullt, që publikohet çdo të enjte në portalin KOHA dhe në gazetën KOHA Ditore.