Drejtori i Instituti EPIK, Demush Shasha, e ka vlerësuar vizitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Ballkanin Perëndimor, si një vizitë vigjilence.
Shasha në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se takimi tregon se NATO vlerëson se Ballkani Perëndimor është një nga pikat kritike të kontinentit, që ka potencial të lartë të nisjes së një konflikti të dhunshëm.
“Sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një nga njerëzit më të zënë në botë, pra nuk ka kohë ai të shkojë për vizitë në një rajon veç hajt. Ekziston një brengë serioze brenda komunitetit të NATO-s që rajoni i jonë kërcënohet nga një destabilizim i mundshëm e hapja e një fronti të ri në kontinent evropian. Vizita ndodh në një sfond ku edhe vetë presidenti ukrainas Zelensky ka bërë ndërlidhje mes luftës në Ukrainë e zgjerimit të saj potencial në Ballkanin Perëndimor. Vizita është të themi vizitë vigjilence, me mesazh që NATO do të jetë e përgatitur për çfarëdo skenari të mundshëm, por t’u komunikojë qartë e personalisht liderëve për peshën e përgjegjësisë që ata kanë për t’u sjellur në një mënyrë të përgjegjshme në rajonin tonë. Në veçanti do t’i komunikohet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku ai do të nënvizojë qartë se pret nga Serbia të sillet në rajonin tonë si akter i përgjegjshëm i sigurisë”, ka thënë Shasha.
Po ashtu ai ka thënë se vizita e Stoltenbergut duhet parë edhe si një vizitë për të treguar përkrahje për dialogun Kosovë – Serbi.
“Dialogu sot është në një pikë kritike, ku pritet nga palët të avancojnë në zbatimin e marrëveshjes dakordimit që u arrit në prezencë të tre liderëve të BE-së në Bruksel. Tash zoti Stoltenberg ka ardhur të nënvizojë mbështetjen e aleancës për avancimin e këtyre obligimeve”, ka thënë Shasha.
Shasha ka folur edhe për mundësinë që Serbia të sanksionohet për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Sanksionet janë mjet. Siç pamë së fundi SHBA-ja po përdor mjetin e sanksioneve, masat ndëshkuese në mënyrë proaktive. Pas vendosjes së masave ndëshkuese ndaj ish-shefit të inteligjencës serbe, u vendosën masave të reja ndaj politikanëve të tjerë në Serbi. Në përgjithësi masa ndëshkuese, sanksionet apo masat represive, janë në dispozicion të komunitetit ndërkombëtarë. Por, përdoren me një dozë proporcionaliteti. Fillimisht aleatët angazhohen në dialog diplomatik, për t’i treguar Serbisë se çfarë humb nëse nuk vepron në formë të përgjegjshme për ta ruajtur stabilitetin në rajon. Kur shpenzohet mundësia e dialogut, atëherë konsiderohen masa më të ashpra. Besoj se NATO ka mjete të mjaftueshme për ta bindur Serbinë që të sillet në mënyrë të përgjegjshme në rajon”, ka thënë Shasha.
Shasha ka folur edhe në lidhje me postimin që bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën në Facebook. Kurti ha se në Rashkë po ngjan një riorganizim paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.
Shasha ka thënë se çfarëdo fakte që ka është mirë të bëhen publike, porse duhet së pari të ndahen informatat me NATO-n e akterët tjerë të sigurisë ndërkombëtare në rajon.
“Besoj se duhet krijuar marrëdhënie pune me NATO-n e akterë tjerë ndërkombëtarë të sigurisë në rajon, që informatat të diskutohen dhe të adresohen përmes kanaleve pune e jo atyre publike. Këto janë gjëra jashtëzakonisht të ndishme që mund të ekspozohen në publik vetëm si instancë e fundit”, ka thënë Shasha.
Ai ka thënë se akuza e kryeministrit Kurti ishte mjaft e rëndë.
“Duhet të sillemi në mënyrë shumë të përgjegjshme, pasi jemi në situatë shumë të ndishme të sigurisë”, ka thënë Shasha.
Ai ka thënë se në diskursin publik në Kosovë është tashmë më prezentë fjala dhunë, luftë apo konflikt, se që ishte dy apo 5 vjet më parë.
Sa i përket takimit të fundit në Bruksel që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, si dhe me kreët e BE-së, Shasha ka thënë se për herë të parë ka pasur një dakordim të plotë sa i përket thelbit të çështjes mes Kurtit dhe krerëve të BE-së. Ishte po ashtu hera e parë që Kosova ishte e kënaqur me një version të Asociacionit të propozuar nga BE-ja.
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka folur edhe për propozimin e Asociacionit që kanë bërë emisarët euro-amerikanë.
“Për mua testi që duhet të kalojë ky Asociacion është të themi test evropian. Nëse ky Asociacion ka vulën e BE-së ku ky lloj organizimi institucional për mbrojtjen e drejtave të minoriteteve është model i bazuar në vlera e standarde evropiane, atëherë s’ka asgjë nga çfarë duhet të frikësohemi. Përderisa BE-ja ka garantuar se model i tillë është përputhje me vlera e standarde evropiane, nuk shoh arsye që institucionet të shqetësohen nga ky version”, tha Shasha.