Arbëri

Shala: Tre të arrestuarit në Banjskë të gjykohen veçmas të tjerëve

Hasan Shala

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka vlerësuar se nuk ka kushte për nisjen e procesit gjyqësor në mungesë për të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, pasi siç ka sqaruar ai, aktakuza duhet t’u dorëzohet të gjithë të akuzuarve dhe gjykata duhet ta marrë konfirmimin se ata e kanë pranuar atë.

Ai ka thënë më tej se ekzistojnë edhe kushte të tjera që duhet të plotësohen për gjykimin në mungesë, gjë për të cilën do të vendosë Gjykata Supreme.

“Për momentin nuk ka kushte për nisjen e procesit gjyqësor në mungesë sepse edhe prokuroria ka punuar për 42 të akuzuar në mungesë të tyre, kështu që ka dhënë mundësi të ngrihet aktakuzë në mungesë, por duhet të plotësohen disa kushte...”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.

Shala ka shtuar se do të ishte më mirë që gjykimi për tre të arrestuarit në Banjskë të zhvillohej ndaras nga serbët e tjerë të akuzuar të cilët kishin arritur të ikin pas sulmit.

“Do të ishte mire që të veçohej lënda për këta tre që të zhvillohet gjykimi e për të tjerët duhet të plotësohen edhe disa kritere”, ka theksuar ai.

Por, edhe nëse Supremja vendos se mund të ketë gjykim në mungesë, Shala e sheh të vështirë këtë proces.

“Nëse lejohet gjykimi në mungesë, duhet 42 të akuzuarve tu caktohet avokati mbrojtës. Me 42 avokatë do të ketë gjykata punë, të gjithë ata avokatë del gjithmonë ndonjë problem. Duhet të ketë shumë kujdes edhe gjatë zhvillimit të gjykimit në mungesë”.

“Nëse aktakuza veçohet është shumë më lehtë të zhvillohet gjykimi ndaj atyre treve dhe në mungesë të zhvillohet edhe ndaj 42 të tjerëve”, ka potencuar avokati.

Ai ka theksuar se aktakuza edhe pse ka marrë kohë për t’u ngritur, është profesionale dhe se nuk ka elemente për t’u rikthyer. Ndërsa, ka thënë se për përfshirjen e shtetit serb në të duhet pasur tepër kujdes.

“E dimë se shteti serb ka ndërhyrë, përgatitja, armatimi... por duhet të kemi kujdes se nëse e përfshijmë këtë duhet të kemi prova të mjaftueshme se ata kanë pasur përkrahje nga shteti”, ka përfunduar Shala.