Ish-deputeti i Kuvendit, Haxhi Shala, të mërkurën do të bëjë paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Ai do të paraqitet në sallën e gjyqit në orën 14:00.
Shala të martën është dërguar për në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, një ditë pasi është arrestuar nga pjesëtarët e EULEX-it në Banjë të Malishevës.
Dërgimin në mbajtje të komandant “Topit”, siç njihej në luftë, e kanë konfirmuar nga Dhomat e Specializuara. Sipas njoftimit nga Specialja, ai është në të njëjtën aktakuzë me Sabit Januzin dhe Ismet Batjarin, për “pengim të drejtësisë”.
Ai akuzohet për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për t’i penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
“Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzit dhe z. Bahtijarit me dëshmitarin 1. Në të thuhet gjithashtu se me udhëzim të z. Shalës, z. Januzit dhe z. Bahtijarit, u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat, përmes kërcënimit të rëndë, apo premtimit për përfitime”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Sipas një kërkese të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për ta zgjatur paraburgimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Shala është intervistuar edhe më herët në cilësinë e të dyshuarit.
“Në një incident tjetër, Thaçi raportohet se e emëroi të birin e Haxhi Shalës konsull të përgjithshëm në Pragë, pasi Shala u intervistua si i dyshuar nga ZPS-ja”, thuhet në dokumentin e ZPS-së të datës 21 dhjetor 2020.