Arbëri

Shala: Nëse Kuvendi s’vepron, buxheti i shtetit mund të dëmtohet me mbi 35 milionë euro

Shala: Nëse Kuvendi s’vepron, buxheti i shtetit mund të dëmtohet mbi 35 milionë euro

Foto: Driton Paçarada

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha që nëse Kuvendi nuk vepron në drejtim të realizimit të së drejtës së zyrtarëve publikë për kompensim për përvojën e punës, ata kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore, duke kërkuar kompensimin e dëmit për shkak të mosveprimit të tyre.

“Në këtë situatë, tashmë zyrtarët publikë kanë pësuar dëm. Nëse Kuvendi nuk vepron, zyrtarët publikë e kanë të drejtën që të kërkojnë mbrojtje gjyqësore, duke kërkuar përmes Gjykatës kompensimin e dëmit që iu është shkaktuar nga mosveprimi i Kuvendit”, tha Shala.

Shala theksoi se kjo situatë mund të dërgojë deri në vërshimin e gjykatës me një numër lëndësh që mund të arrijë deri në 90 mijë raste të reja.

“Nëse Kuvendi nuk vepron dhe zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjykatës, potenciali në këtë rast është se gjykatat do të vërshohen me rreth 90 mijë lëndë të reja, të cilat do të duhet t’i trajtojnë një për një”, shtoi Shala.

Gjithashtu, sipas Shalës, përpos ndikimit që këto lëndë do të kenë në efikasitetin e punës së gjykatës, shpenzimet lidhur me procedurat gjyqësore do të bien në barrë të buxhetit të shtetit.

“Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770,502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, tha Shala.

Shala: Mosveprimi i Kuvendit ndaj obligimit kushtetues, shkelje kushtetuese dhe shembull negativ

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përballë obligimit që pati, që deri më 1 gusht 2024 ta plotësojë dhe ndryshojë Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik në raport me përqindjen e pagesës së përvojës së punës, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e përmbushi këtë obligim kushtetues.

“Për nga fuqia e tyre, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Për këtë arsye, mosveprimi i Kuvendit në raport me obligimin e caktuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese paraqet edhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit”, tha Shala.

Këtë deklarim, ai e bëri të enjten gjatë publikimit të raportit të IKD-së me titull “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.

Shala tregoi aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, u rrëzua njëra nga dispozitat që lidhej me uljen e përqindjes së shtesës mbi përvojën e punës nga 0.5% në 0.25%, duke prekur mbi 90 mijë zyrtarë publikë. Ky aktgjykim do duhej të zbatohej nga shkurti i vitit 2024.

Hulumtuesi theksoi se mungesa e veprimit nga Kuvendi ndaj detyrimit të tij kushtetues, që cenon të drejtat e zyrtarëve publikë, përbën një rast tejet negativ dhe shqetësues.

“Ky mosveprim i Kuvendit përballë obligimit kushtetues që ka, i cili mosveprim cenon të drejtat e gjithë zyrtarëve publikë, është një shembull skajshmërisht negativ”, tha ai.

IKD: Ulja e shtesës për përvojën e punës prek drejtpërdrejt të ardhurat e familjeve të 90,696 zyrtarëve publikë

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Kosovës pë Drejtësi (IKD) me titull “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”, ulja e shtesë së përvojës së punës sjell pasoja në jetën e familjeve të 90 mijë e 696 zyrtarëve publikë.

“Në kontekstin e sfidave socio-ekonomike aktuale, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25% sjell pasoja në jetën e familjeve të 90,696 zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD derisa prezantoi gjetjet e raportit, tha se një reduktim i tillë sillet në një mesatare rreth 12.5 deri në 40 euro në muaj që edhe pse si shifër duket minimale, kjo ka një efekt në mënyrën e jetesës.

“Edhe pse shifra fillestare duket minimale, për familjet me të ardhura të kufizuara, humbja financiare si kjo ka efekt në mënyrën e jetesës. Çdo euro e humbur mund të ndikojë në aftësinë e familjeve të këtyre zyrtarëve për të investuar në arsimin e fëmijëve, shëndetësinë dhe nevojat bazë të jetës”, tha Shala.

Sipas IKD-së, ky reduktim mund të dërgojë në ulje të kujdesit për mirëqenien sociale, shëndetin dhe kujdesin ushqimor.

“Në shumë raste, reduktimi i të ardhurave mund të çojë në ulje të konsumit për ushqim, për kujdesin shëndetësor dhe për arsim, duke rritur kështu rrezikun që familjet të bien në situata më të rënda të varfërisë dhe pabarazisë ekonomike”, thuhet tutje në raport.

IKD: Legjislatura e IX-të duhet ta plotësojë/ndryshojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të enjten publikoi raportin me titull “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.

Sipas këtij raporti, duke pasur parasysh mosveprimin e Kuvendit përballë obligimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, zyrtarët po dëmtohen.

Andaj, IKD bën thirrje që pas konstituimit të legjislaturës së IX-të, të trajtohet me urgjencë kjo çështje dhe të bëhet plotësim/ndryshimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Me këtë, do të garantohej niveli i pagesës së përvojës së punës në lartësi prej 0.5% dhe se shtrirja e kësaj pagese sipas aktgjykimit të Kushtetueses duhet të jetë nga 1 shkurti 2024.

“Plotësimi dhe Ndryshimi i Ligjit Nr.08/L-196 nga ana e Kuvendit do të paraqiste realizim kolektiv të të drejtave të zyrtarëve publikë. Në këtë mënyrë, përmes një veprimi të vetëm, plotësimit dhe ndryshimit të ligjit në fjalë, të gjithë zyrtarët do të kompensoheshin për pjesën e papaguar të përvojës së punës nga data 1 shkurt 2024, dhe tutje pagesa e përvojës së punës do të bëhej në nivelin prej 0.5%”, tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.

E nëse kjo nuk ndodh, zyrtarët publikë kanë të drejtë që t’i drejtohen gjykatës për kompensim dëmi që iu është shkaktuar me mosveprimin e Kuvendit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, të enjten ka mbajtur takim diskutues me përfaqësues të partive politike parlamentare dhe ka publikuar raportin “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”. /BetimipërDrejtësi