Arbëri

Shala–Rizvanollit: Si referencë për drejtor të “Ibër-Lepencit” more menaxhimin e fushës së futbollit

Ferat Shala - PDK

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka replikuar me deputetin e PDK-së, Ferat Shala, për ndërmarrjet publike, përfshirë për “Trepçën”.

Rizvanolli ka thënë se për herë të parë “Trepça” ka regjistruar fitim dhe është në rrugë të duhur, ndërsa Shala e ka quajtur gënjeshtër. Ai ka thënë se humbjet janë 600 mijë euro në muaj,

“Kërkuat shifra, ja shifra. 2020 para mandatit tonë, ndërmarjet publike në total shënuan humbje 3 milionë euro. Në më pak se dy vjet, më 2022, kanë shënuar fitim 101 milionë euro, prej minus 3 në 101 milionë euro për dy vjet. Ka ndryshim cilësor, rrënjësor në mendësim dhe menaxhim, mbrohet publikja, nuk zhvatet e shkatërrohet. Telekomi nuk humb në raste në Arbitrazh por fiton. Telekomi kishte deri 27 milionë euro humbje për një vit, vitin e kaluar shënoi fitim. Po bëhen edhe investime që nuk janë bërë prej vitit 2016. Vetëm me kalimin në kodin 383, që nuk është bërë qe sa vite, Telekomi kursen 3 milionë euro në vit. Trepça, me të cilën edhe ju keni udhëhequr, për herë të parë ka dalë në fitim financiar sivjet prej pasluftës, prej 15 milionë në 22 milionë euro janë rritur të hyrat e Trepçës. E di që nuk ju pëlqen që e keni humbur kontrollin atje, Trepça është rrugën e duhur bashkë me ndërmararje tjera. KEK-u e ka arritur fitimin prej 24 në 107 ,milionë euro. Investimet në KEK që po përmendni, nesër nënshkruhet kontrata për modernizimin e turbinave në Kosovën B që nuk janë bërë për 40 vjet”, tha Rizvanolli në Kuvend.

E ndaj saj replikoi Shala.

“E kam problem me bë replikë me një ministre që term reference me zgjedh drejtorin e ‘Ibër-Lepencit’ e merr menaxhimin e një fushe të vogël të futbollit të ndërtuar në një lagje diku. Pra, përvojë pune është menaxhimi i një fushe futbolli”, tha Shala. “Qysh me repliku me ministren që është këshilluar nga arkeologu për Trepçën e me thënë se Trepça ka dalë pozitiv, vetëm gjeje një shifër ku thuhet se Trepça ka dalë pozitive prej që keni ardhur ju, çka dush keni. 600 mijë euro humbje mujore ka. Më vjen marre kur po ju ndëgjoj. 600 mijë euro humbje mujore, e keni në media, as pagat me rentabilitetin e vetë si mbulon. Pranoni këtë fakt. Me Trepçën krenohna, por se di çka po ju dhemb. Pranojeni te KEK-u e keni zvoglu kapacitetin prodhues, afro 100 milionë euro kontrata njëburimore. Shtatë herë është shoallur gjendje e jashtëzakonshme me i fshehur hajnitë në KEK”, tha Shala.