Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se Kuvendi s’e ka zbatuar Kushtetutën në rastin e shërbyesve publikë, duke thënë se ua ka cenuar të drejtat mbi 90.000 zyrtarëve.
Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se Kuvendi s'e ka respektuar të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të punës, derisa ka shtuar se ata kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore. Sipas Shalës, punonjësit mund ë kërkojnë kompensim të dëmit.
“Barra kryesore i bie Qeverisë që ka qenë sponsorizuese e Ligjit për pagat në sektorin publik. Ajo duhet të përmbushë obligimin kushtetues. Në këtë rast dështimi i atribuohet Kuvendit si institucion, por edhe Qeverisë që ka mazhorancën parlamentare”, ka deklaruar Shala.
Hulumtuesi i IKD-së ka shtuar se 90.000 zyrtarët publikë kanë pasur të marrin më tepër pagë, por kjo u pamundësua për shkak të mosveprimit të Kuvendit.
“Kjo situatë ka ardhur për shkak të moszbatimit të obligimeve. Nëse në këtë situatë 90.000 zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjyqësorit, do të rritet numri i rasteve gjyqësore, e kjo do të shkaktojë kaos të radhës...Shpenzimet procedurale për këtë do të jenë rreth 35 milionë euro, duke mos llogaritur kërkesën kryesore”, ka shtuar ai.
Sipas Shalës, legjislatura e radhës në Kuvend duhet që të veprojë ndaj kësaj situate, në mënyrë që sipas tij, të mos cenohen të drejtat e punonjësve publikë.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”, ulja e shtesë së përvojës së punës sjell pasoja në jetën e familjeve të 90 mijë e 696 zyrtarëve publikë.
“Në kontekstin e sfidave socio-ekonomike aktuale, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25% sjell pasoja në jetën e familjeve të 90,696 zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.