Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se KFOR-i nuk ka negociuar me grupin paramilitar serb në Banjskë vitin e kaluar, por dikush brenda misionit, sipas tij, po.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) në raportin fillestar kishte shkruar se KFOR-i ka negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit paramilitar serb nga Banjska. Misioni i NATO-s i mohoi këto pretendime, ndërsa ICG-ja e ndryshoi raportin gjatë ditës së sotme.
Në “Konfront” të KTV-së, Shala ka thënë se brenda KFOR-it ka shtete që nuk bashkëpunojnë fare mes vete.
“KFOR-i nuk ka negociuar, por elementet brenda KFOR-it, po. Sepse ka shumë struktura dhe mekanizma brenda misioneve ndërkombëtare që nuk korrespondojnë njëra me tjetrën, nuk shkëmbejnë informacione njëra me tjetrën, kjo është faktike. Ne mund të themi se nuk është e vërtetë, por kjo është faktike. Brenda KFOR-it ka shtete që nuk bashkëpunojnë fare. Mund të përfshihen në aktivitete të caktuara, dhe komandanti i KFOR-it të mos marrë ndonjë ‘feedback’ “, ka thënë Shala.
Sopi: ICG-ja përditësoi raportin për Banjskën, pasi dha informacion të kualifikuar
Panelisti në “Konfront”, Agim Sopi, ka thënë se Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka përditësuar raportin për Banjskën pasi ka dhënë informacion të kualifikuar.
Sopi ka shtuar se kjo organizatë nuk është e autorizuar të botojë informacione të kualifikuara.
“Jam shumë i bindur se nga shërbimet e aleatëve tanë, para së gjithash, është dekonspiruar aksioni dhe është ndërprerë, sepse sikur aksioni ta merrte dimensionin e plotë, të përhapej në të gjithë veriun detyrimisht forcat tona do të duhej të futeshin, e menjëherë në manastir do të kishte viktima. Organizata kredibile është thirrur në informacionet që i ka. Megjithatë organizata kredibile nuk është e autorizuar të botojë gjëra sekrete që ndoshta të zbulohen pas 40 vjetëve, informacione të kualifikuara. Në pamundësi për të dhënë informacione të kualifikuara, ata do të duhej ta tërhiqnin informacionin”, ka thënë ai.
Kuqi: Krizat globale mund të përshpejtojnë integrimin e Kosovës në NATO
Gurakuq Kuqi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se mund të shfrytëzohen rrethana të caktuara në botë për avancimin e Kosovës në NATO.
Ai ka thënë se krizat ndërkombëtare mund ta përshpejtojnë integrimin në aleancën ushtarake. Ndërsa ka theksuar se Kosova ka avancuar mjaftueshëm në aspektin e ushtrisë dhe të organeve të sigurisë.
“Kosova një pjesë të madhe i ka përmbushur çështjet e ushtrisë. Deri në vitin 2028 do ta përmbyllë të gjithën, me kapacitete të plota do të funksionojë ushtria e Kosovës. Nuk është duke iu falur asgjë Kosovës edhe nëse bëhet përshpejtim i procedurave të avancimit. A mund Kosova t’i shfrytëzojë, sigurisht se po. Janë rrethana të tilla që secili institucion i sigurisë mund t’i shfrytëzojë për avancimin e Kosovës dhe shfrytëzohen rrethana të caktuara që mund ta avancojnë Kosovën. Është kriza ndërkombëtare ajo që mund t’ia përshpejtojë Kosovës, dhe jo gjithsesi Kosova në vetvete mund t’i përshpejtojë këta hapa”, ka thënë ai.
Dugolli: Kosova i plotëson kushtet qysh tash për anëtarësim të plotë në NATO
Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, vlerëson se Kosova qysh tash i plotëson kushtet për të qenë anëtare e NATO-s.
Sipas tij, çdo punë e kryer në FSK, është bërë sipas standardeve të NATO-s.
"Duke nisur që nga doracakët e deri te shkollimi i oficerëve, armatimi e të tjera, janë bërë sipas standardeve të NATO-s", ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për rritjen e buxhetit të FSK-së, që sipas tij, është në kuotën e 2-përqindëshit të GDP-së.
Dugolli: Përjashtimi nga "Defender '23" pa pasoja, Kosova është ftuar sërish
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga programi i NATO-s, “Defender ‘23”, ka qenë pa pasoja dhe se vendi është ftuar sërish të jetë nikoqire e stërvitjeve.
Në maj të vitit 2023, Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe”. Ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Por Dugolli ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga kjo stërvitje ishte më shumë simbolike.
“Ajo [përjashtimi] ishte masë e cila më shumë ishte e motivume politikisht, por që nuk ka prodhuar efekte në terren. Sepse është suspenduar vetëm dita e fundit, kur janë vizitorët e shquar. Të gjitha stërvitjet, i gjithë programi është përmbushur. Ka qenë vetëm një lloj simbolike, një lloj vërejtje e cila pas disa muajsh ka rënë pasi Kosova është ftuar prapë të jetë nikoqire e ‘Defender ‘25’ “, ka thënë Dugolli në “Konfront” të KTV-së.
Eksperti i sigurisë tregon për sfidat që e presin Kosovën deri në anëtarësim në NATO
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka treguar për sfidat të cilat e presin Kosovën deri në anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike – NATO.
Në debatin mbi rrugëtimin drejt NATO-s të martën në “Konfront”, Shala ka thënë se Kosova nuk mund të hyjë në NATO pa e përmbyllur planin gjithëpërfshirës.
Sipas tij, Kosova duhet t’i përmbyllë disa çështje politike, si përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, për t’u anëtarësuar në NATO.
“Para 2028-s ne nuk mund të jemi anëtare të NATO-s, mund të bëjmë narrativa dhe qëndrime politike, por realiteti është bardh e zi, duhet të përmbyllet procesi, duhet të bëhet vlerësimi i rezimenteve. Paralelisht me çështjet teknike, specifikacione të caktuara brenda planit 10-vjeçar të tranzicionit, Kosova duhet t’i përmbyllë disa kontura politike – avancimi i saj drejt përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Kur bëhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, bëhet edhe përcaktimi i vijës kufitare sepse NATO-ja e ka të qartë se askush s’mund të jetë pjesë e saj derisa ka paqartësi apo interesa kufitare. Ne e dimë që Serbia ende e mban Kosovën si pjesë përbërëse të Kushtetutës së saj. Pastaj nevojitet riformatizim i sektorit të sigurisë në tërësi”, ka thënë ai.