Arbëri

Shala: Ekziston një zinxhir i dështimeve në rastet e grabitjeve

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, thotë se pamjet e plaçkitjes së një filialeje të bankës “ProCredit” në Prishtinë në vitin 2017, janë shokuese. Mirëpo, ai thotë se nëse mendon për gjetjet e IKD-së mbi trajtimin e këtyre rasteve, atëherë nuk çuditet që ndodhin ato.

Për rastin në fjalë ende nuk ka ndonjë “feedback”.

“Nuk është se nuk kemi pritur që në të ardhmen këta do të trimërohen e do të veprojnë kështu edhe gjatë ditës, për shkak se ndër vite politika e hetimit, ndjekjes dhe gjykimit, vetëm se i ka trimëruar këta kriminelë, të cilët sot marrin guximin e dalin në këtë mënyrë”, ka thënë Shala në emisionin “Tempus” të KTV-së.

Ai ka thënë se ka një zinxhirë të dështimeve në rastet e grabitjeve.

“Ideja pse ndodhin këto, faktori nuk është i koncentruar vetëm në një fushë të vetme. Ka një zinxhirë të dështimeve, që nga momenti kur hetohet rasti në Polici, që nga trajtimi shabllon në prokurori e më pastaj kur shkon në Gjykatë, kemi një politikë ndëshkimore favorizuese e jo ndëshkuese në raport me kryerësit e këtyre veprave, e që në fakt e bënë këtë dukuri jashtëzakonisht problematike. Kjo jo vetëm për palët e dëmtuara, pronarin e parave apo kompaninë, por edhe për rrethin në përgjithësi. Terrorizohet masa kur sheh skena të kësaj natyre e sheh mosefikasitet të sistemit”, ka thënë Shala.