Në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave është konsideruar sfidues zhvillimi i platformave online. Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë se qytetarët nuk janë të informuar për rrezikun e shpërndarjes së të dhënave në rrjetet sociale apo shërbimet online që marrin.
Sfidues është konsideruar rreziku i shpërndarjes së të dhënave personale në platformat online.
Në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave, Lëvizja FOL ka mbajtur diskutim mbi çështjen me komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku.
Ani se qytetarët përdorin shërbimet online, sipas Sogojeva-Dermakut, ata nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun e ofrimit të të dhënave personale në platformat online.
“Do të thotë bëhen blerjet online as edhe një herë nuk i lexojmë politikat e privatësisë. Por vetëm i pranojmë si të tilla e shpesh herë aty thuhet ku shkojnë të dhënat tona, për çfarë qëllimi përdoren të dhënat tona sepse ata kontrollues të cilët i kanë plasu këto platforma ata do të jenë në rregull me Ligjin”, ka deklaruar Sogojeva.
Sfidë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve në platformat online që përdoren në vend është konsideruar edhe ngase Kosova nuk ka një domen në emër të saj.
Shembull për këtë komisonerja Krenare Sogojeva-Dermaku tha se është Tik Tok-u, ku përgjegjëse për domenin e Kosovës është Singapori.
Përveç platformave online, shkelja e privatësisë u tha se bëhet edhe në institucione shëndetësore.
“Mjeku del në korridor dhe në prezencë të gjithë të tjerëve që mund të jenë prezent në një korridor të spitalit të një ordinance flet me pacientin për diagnozën kjo është shkelja e parë që bëhet nga ana e institucioneve shëndetësore”, ka thënë tutje ajo.
Gjatë diskutimit, si shqetësim u ngrit shkelja e privatësisë në faturat e hapura, në sistemin arsimor dhe në media.