Arbëri

Sfidohet në Kushtetuese plani i SHSKUK-së për reduktim të shërbimeve në spitale regjionale

Neni 11 i statutit të ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar parasheh që spitalet publike regjionale të kenë pesë shërbime bazike – Kirurgjinë, Internon, Pediatrinë, Gjinekologjinë e Emergjencën. Kjo nënkupton që shërbimet e tjera të mund të largohen nga këto spitale. Avokati i Popullit, bazuar në ankesat që ka pranuar, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të bëjë interpretim nëse ky ndryshim shkel të drejtat e pacientëve

Riorganizimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) do të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi që dy shkallët e para të gjyqësorit e kanë pezulluar zbatimin e statutit të ri të saj ndërsa pas shumë ankesave, Avokati i Popullit e ka dërguar atë për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

Statuti i ri i SHSKUK-së përcakton që spitalet regjionale në Kosovë të mund të mos i kenë të gjitha profilet shëndetësore, por vetëm ato të domosdoshme, si Kirurgjia e Përgjithshme, Interno, Pediatria, Gjinekologjia Obstetrike dhe Emergjenca.

Kjo nënkupton që spitaleve rrezikohen t’u mbyllën shumë shërbime të tjera. Federata Sindikale e Shëndetësisë por edhe mjekët psikiatër të spitaleve të përgjithshme të Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës janë ankuar që me statutin e ri do të bëhet reduktimi i shërbimeve në këto spitale. 

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Kushtetuesja interpretim nëse ndryshimet e tilla janë në linjë me parimet bazë të Kushtetutës, siç janë barazia para ligjit, mbrojtja shëndetësore dhe sociale, si dhe me nenin për kufizimin e të drejtave themelore.

Avokati i Popullit ka marrë për bazë ankesat e psikiatërve dhe ka konsideruar se centralizimi i shërbimeve që lidhen me shëndetin mendor shkel të drejtat e njeriut.

“Avokati i Popullit thekson se përcaktimi i nenit 11, në aktin e kontestuar është tregues se shërbimet shëndetësore nuk janë përcaktuar në frymën e njëjtë sikurse në Ligjin për Shëndetësi. Avokati i Popullit konsideron se heqja e disa llojeve të shërbimeve shëndetësore, në spitalet e përgjithshme, i vë në dispozicion të pabarabartë qytetarët, në zonat e të cilëve ndodhen spitalet e përgjithshme. Me fjalë të tjera, qytetarëve të zonave ku ndodhen spitalet e përgjithshme u mohohet qasja në shërbimet shëndetësore, e që rrjedhimisht prodhon situatë të pabarazisë në kuptimin e shfrytëzimit dhe qasjes në shërbimet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar masë të përkohshme që ky riorganizim, të cilin e parasheh statuti i SHSKUK-së, të mos fillojë së zbatuar para vendimit mbi ligjshmërinë e tij.

Disa herë në mbledhje të bordit aktual të SHSKUK-së është diskutuar për performancën e spitaleve të përgjithshme. Një pjesë e raporteve të brendshme të këtij institucioni tregojnë nivel të ulët të shfrytëzueshmërisë së shtretërve të spitaleve regjionale. Sipas këtyre raporteve, disa shërbime nga vetë institucioni janë treguar jo kost-efektive në raport me numrin e qytetarëve që u ofrojnë shërbime.

KOHA ka dërguar pyetje për këtë çështje në SHSKUK por nuk ka marrë përgjigje.