Në Kosovë ekziston Ligji për Barazi Gjinore, madje është dukshëm më i avancuar krahasuar me vendet e rajonit.
Ky ligj mbron dhe vendos barazi ndërmjet gjinive në themel të zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare, dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe të gjitha fushat e jetës shoqërore.
Në teori, ky ligj po ashtu obligon të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe institucionet e tjera publike të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.
Dhe pavarësisht se Kosova ka ligje të avancuara, në praktikë zbatimi i tyre megjithatë çalon.
Ndonëse Kosova si shtet ka bërë hapa para sa i përket rritjes së numrit të grave të përfshira në pozita të larta në institucione të ndryshme të vendit, megjithatë numri i tyre nuk është i kënaqshëm.
Mes tjerash, tashmë me vite, qeveritë të cilat formohen në Kosovë gjithmonë janë përpjekur që në përbërje të kenë edhe gra në poste të ministrave dhe zëvendësministrave, por prapë numri i tyre nuk ishte i kënaqshëm.
Derisa vendi pret shpalljen e datës së zgjedhjeve për të parë se si do të duket përbërja e re e qeverisë, kjo e fundit kishte vetëm tre ministre, atë të Punëve të Jashtme, të Kulturës dhe Ekonomisë e Financave, nga gjithsej 16 ministri.
Nga 46 zëvendësministra sa kishte emëruar qeveria Hoti, vetëm tetë prej tyre ishin gra, ndërkaq kishte edhe një zëvendëskryeministre, e cila vinte nga partneri i koalicionit Nisma Socialdemokrate.
Por që nga viti 2000, shkalla minimale e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur vetëm përmes kuotës, e cila ua rezervon 30 për qind të ulëseve — kundrejt burrave, të cilët praktikisht e kanë të garantuar shpërndarjen e 70-përqindëshit tjetër.
Por legjislatura e fundit e Kuvendit të Kosovës për herë të parë u udhëhoq nga një grua. Edhe pse shpeshherë efekti i kuotës gjinore është kontestuar, ka mjaft raste që gratë të cilat fillimisht janë zgjedhur deputete për shkak të saj, më vonë këtë synim e kanë arritur edhe pa kuotë.
Një efekt i tillë është vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku gratë fituan 38 prej 120 ulëseve në Kuvend; 17 prej tyre i fituan vendet në saje të kuotës e 21 tjera i fituan vendet e tyre me meritë nga beteja me trefishin e numrit të kandidatëve burra.
Përderisa në vitin 2019 numri i grave deputete të cilat e kanë fituar këtë post pa kuotë ka qenë dukshëm më i madh.
Por një problem tjetër me të cilin ballafaqohen gratë në politikë është edhe dhuna online.
Instituti Kombëtar Demokratik ka radhitur një varg problemesh me të cilat përballen gratë në politikë.
Instituti Kombëtar Demokratik në Kosovë ka organizuar edhe Javën e Gruas, ndryshe ngjarje vjetore mbarëkombëtare që mbledh në një mjedis ndëretnik, më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe t’i mbështesë ato për të marrë pozicione më të mëdha drejtuese.
Gjatë tetë vjetëve të fundit, Java e Gruas ka ofruar një platformë për debat mbi politika dhe diskutim intensiv me politikanë prominent dhe zyrtarë të zgjedhur.
Kjo u mundëson pjesëmarrësve të mbajnë në përgjegjësi përfaqësuesit e tyre përderisa në të njëjtën kohë mbështesin zhvillimin e shkathtësive të lidershipit për gratë në politikë.