Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se ende nuk sheh politikë të balancuar evropiane.
Sipas tij, evropianët po vazhdojnë me të ashtuquajturat pasoja ndaj shtetit të Kosovës, të cilat janë tërësisht jo të duhura.
Ka shtuar se Policia e Kosovës, që ishte kërkuar të tërhiqej nga veriu, e bëri punën e saj në mënyrë profesionale dhe në mënyrë objektive më 24 shtator.
Sipas tij, kryetarët atje nuk paraqesin ndonjë problem serioz.
“Ata janë kryetarë joserbë, të cilët janë duke shërbyer në atë çka mendoj se është një mandat i përkohshëm në veri të Kosovës. Dhe sinqerisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe nuk duket të jetë diçka që Prishtina është e gatshme ta zbatojë tani për tani. Kur Kosova u pajtua për një gjë të tillë, pala kosovare po ashtu u mor vesh që në kthim të kësaj do të kishte një njohje të validitetit të Kushtetutës së Kosovës nga ana e Serbisë në të gjithë territorin e Kosovës dhe në veçanti njohje të sistemit juridik. Dhe një gjë e tillë nuk është zbatuar po ashtu dhe këtu unë e shoh ngërçin. Kështu që nuk e shoh ndonjë ndryshim të madh në perspektiven e dialogut dhe Serbia e ka bërë mjaft të qartë se ata nuk do të zbatojnë atë çfarë nuk u pëlqen nga marrëveshjet e muajve shkurt dhe mars”, ka thënë ai.
Serwer ka thënë se dialogu nuk po shkon në një rrugë pa krye, sepse sipas tij, ekziston ende mundësia për të pasur një dialog konstruktiv. Ka shtuar se drejtimi i duhur është rruga drejt zbatimit të marrëveshjeve, pas të cilave fitojnë të dyja vendet.
“Siç e kemi parë me zbatimin e marrëveshjes për targat, marrëveshjen për energjinë, aty ka pasur progres. Por vështirësitë në dialog kanë nisur që në vitin 2013, me Marrëveshjen e Brukselit dhe dialogun politik që pasoi dialogun teknik dhe me disa marrëveshje që nuk u zbatuan asnjëherë. Pra, nëse do të pyetesha se ku duhet të jetë dialogu sot, unë do të thosha të ecë tutje drejt marrëveshjeve teknike në të cilat përfitojnë të dyja vendet dhe një përpjekje të vërtetët për të zbatuar gjithçka që është dakorduar. Kjo do të ishte shpresa për të ndryshuar ambientin në dialog”, ka thënë ai.