Arbëri

Serwer: Rrëzimi i Qeverisë Hoti s’prodhon jostabilitet politik

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, konsideron se rrëzimi i Qeverisë Hoti nuk prodhon paqëndrueshmëri politike në Kosovë.

Në një përgjigje për KOHËN, Serwer ka thënë se Qeveria e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, pasi shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi nuk kishte shumicë parlamentare dhe si e tillë “u avullua” nga Kushtetuesja.

“Kjo është më shumë si funksionim i duhur i institucioneve për mua. Kosova mund të dalë nga kjo gjendje duke mbajtur një proces të mirë zgjedhor, nga i cili prodhohet shumicë e fuqishme parlamentare”, ka thënë ai.

Serwer ka shtuar se e mira e zgjedhjeve është se nuk dihet se çfarë prodhojnë. Porse thotë se shpreson që procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen në fillimin e vitit 2021, të jenë të lira, të drejta, paqësore dhe me rezultat definitiv.

Gjykata Kushtetuese të hënën ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

“E vetmja fuqi e Qeverisë Hoti ishte dobësia e saj”

Duke folur për pasojat politike në proceset në të cilat është Kosova, ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë. Ndërrimi i qeverive, sipas Serwerit, do ta ngadalësojë edhe më shumë këtë proces, por situata politike në Kosovë nuk e zbeh pozitën e kësaj të fundit në dialog.

“Nuk do ta dobësojë (v.j. pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë). Sigurisht që do ta ngadalësojë procesin e dialogut, pasi Prishtina ka nevojë për një Qeveri të re para se të vazhdojë. Por nëse Qeveria ka një shumicë të fortë, që përputhet me atë të Vuçiqit, kjo do të thotë zbatim shumë më i lehtë i çdo gjëje për të cilën bihet dakord. E vetmja fuqi e Qeverisë Hoti ishte dobësia e saj. Ai mund vërtet t’u thoshte Brukselit e Beogradit se mund të pajtohej vetëm me diçka që është në favor të Kosovës, në mënyrë që Qeveria e tij të mos rrëzohej”, i ka thënë Serwer KOHËS.

Dialogu rifilloi në vjeshtë pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish-presidentit Donald Trump, nga ku dolën me një listë zotimesh të dyja shtetet. E pas kësaj u mbajtën edhe disa takime të tjera në nivel ekspertësh e po ashtu edhe mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, porse marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duket të jetë e largët, pasi Vuçiq potencon se nuk do ta njoh Kosovën e pala kosovare thotë se s’do të ketë marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndërsjellë.

Ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Sipas tij, është koha që Këshilli i Bashkimit Evropian t’u thotë ministrave të brendshëm se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë.

“Kushdo që ka tru mund të humbte besimin (v.j. në Bashkimin Evropian) për shkak të vonesave në liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Hoxhaj e Kurti, kandidatë për kryeministër, Haradinaj për president

Pas rrëzimit të Qeverisë Hoti, partitë politike në vend kanë nisur zyrtarizimin e kandidatëve për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet të cilat pritet të mbahen në fillimin e vitit 2021.

Deri tash, zyrtarisht kandidaturën për kryeministër e ka shpallur Enver Hoxhaj i PDK-së, i cili është ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie pas aktakuzës së konfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj ish-kryetarit, Kadri Veseli.

Ndonëse ende zyrtarisht nuk është konfirmuar, një burim i ka thënë KOHËS se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është kandidat për kryeministër. Ai vetë, pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, të martën ka thënë se janë duke pritur vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, e pastaj do të publikojnë emrin e kandidatit për kryeministër. Kjo pasi, Kushtetuesja në versionin e publikuar të hënën pas shpalljes antikushtetuese të votës së deputetit Etem Arifi, ka thënë se nuk do të lejohet kandidimi i personave të cilët kanë aktakuza.

Ndërkaq në një përgjigje për KOHËN, Rasim Selmanaj i AAK-së ka konfirmuar se lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, nuk do të jetë kandidat për kryeministër, pasi ai pretendon postin e presidentit. Megjithatë, sipas tij, Haradinaj do të jetë prijës i listës zgjedhore.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë kandidat për të parin e Qeverisë. Kryetari Isa Mustafa, në një adresim të mërkurën ka thënë se LDK-ja do të dalë edhe më e fuqishme në këto zgjedhje. Megjithatë, si emra të mundshëm jozyrtarisht janë përmendur.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.