Arbëri

Serwer: Mungesa e progresit në dialog po tentohet të tejkalohet nga SHBA-ja

Moszhvillimi i takimit të paraparë në Bruksel i Komisioneve të përbashkëta të Kosovës e Serbisë për të zhdukurit në luftë, po shihet si konfirmim i ngecjes në procesin e dialogut. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se këtë situatë Shtetet e Bashkuara po munden ta zhbllokojnë nëpërmjet Dialogut Strategjik

Mungesa e progresit në çështjen e vetme, për të cilën Kosova e Serbia u dakorduan fundvitin e shkuar, e konfirmon bllokimin në dialogun e lehtësuar nga Brukseli dhe kjo, sipas ekspertit për Ballkanin, Daniel Serwer, po tentohet të tejkalohet nga Shtetet e Bashkuara.

Me gjithë pajtimin e palëve, të mërkurën dështoi takimi i parë mes komisioneve përkatëse për të zhdukurit nga lufta e fundit. Derisa Kosova i paraqiti prioritetet rreth çështjes, pala serbe e bojkotoi takimin shkaku i aksionit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në disa komuna.

Në Bruksel insistojnë që çështja të trajtohet në dialog, por as në konferencën e një dite më parë, zëdhënësja e BE-së nuk tregoi se cili duhet të jetë ai, që u quajt “dialog konstruktiv”.

E Lista Serbe të premten njoftoi se u përcolli letër BE-së, OSBE-së e shefit të misionit të UNMIK-ut, me kërkesën për reagim të menjëhershëm kundër veprimeve të Prishtinës zyrtare për mbylljen e strukturave të Serbisë.

Mes atyre që reaguan kundër veprimit të autoriteteve të Kosovës është edhe SHBA-ja, përfaqësues të së cilës paralajmëruan marrëveshje për dialog strategjik në fusha të rëndësishme. Në reagim, u tha se aksionet e pakoordinuara e dobësojë besimin e marrëdhënieve dhe e kufizojnë aftësinë e SHBA-së për ta ndihmuar aspiratën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

E Serwer e ka kualifikuar të vështirë adresimin e problemeve nga ana e BE-së teksa shton se turneu i fundit në Ballkan i zyrtarëve amerikanë u bë edhe për ta zhbllokuar dialogun e Brukselit.

“Jam i sigurt se amerikanët në administratën e Bidenit shpresojnë të përdorin Dialogun Strategjik për të shkrirë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Nuk dihet ende nëse administrata e ardhshme do ta ndjekë këtë qasje”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka shtuar se përpjekja tjetër u bë për t’i relaksuar marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së.

“Mendoj se kjo është një përpjekje për ta zbutur fërkimin që është krijuar mes Kosovës dhe SHBA-së. Për mua, pyetja kryesore strategjike është se si mund të forcohet dhe garantohet sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës, duke përfshirë njohjen nga 5 vendet e BE-së dhe nga Beogradi”, ka thënë Serwer.

Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, që javën e shkuar vizitoi tri shtete të Ballkanit Perëndimor, tha se Kosova e Serbia duhet të punojnë drejt normalizimit përmes mekanizmave të BE-së.