Në mungesë kuorumi, sërish ka dështuar të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e ftuar nga kryetari Alban Hyseni për të votuar buxhetin e vitit 2025.
Sipas njoftimi të komunës në seancë nuk kanë marrë pjesë partitë që janë në opozitë, LDK ja dhe PDK-ja.
“Në këtë seancë munguan këshilltarët e dy partive opozitare, LDK dhe PDK, dhe me këtë rast, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu tha se me 13 këshilltarë prezentë, nuk ka kuorum për të filluar këtë seancë”, thuhet në njoftim.
Pas dështimit të seancës kryetari Hyseni ka thirrur seancë për të mërkurën (nesër).
"Të nderuar përfaqësues të mediave ftoheni të merrni pjesë në seancën të Kuvendit Komunal në Gjilan e cila mbahet më 26.02.2025 me fillim në ora 10:00. Kjo seancë thirret nga kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni. Si pikë e rendit të ditës do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2025”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Komunës.
Komuna e Gjilanit është e vetmja që nuk ka miratuar buxhetin dhe ka kohë ta bëjë këtë vetëm deri më 1 mars, e në të kundërtën mund të organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.
Përfaqësues të pushtetit qeverisës dhe të opozitës në Gjilan të enjten e javës së kaluar janë takuar me qëllim për t’i tejkaluar pengesat që kanë bërë që buxheti i Komunës për vitin 2025 të mos miratohet ende.