Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të municionit, armëve dhe uniformave, që sipas tij, janë gjetur të martën gjatë një bastisjeje në veri të vendit.
Sveçla ka thënë se ato janë gjetur në një ahur.
Ministri i Brendshëm ka bërë të ditur se përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të SHBA-së dhe Britanisë.
“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, ka shkruar ai.
Sveçla ka paralajmëruar se kushdo që tenton ta cenojë rendin kushtetues e sigurinë e vendit, do të ndëshkohet.
Lidhur me këtë bastisje të kryer në Zubin-Potok, Policia ka njoftuar se municioni, armët e uniformat ushtarake janë gjetur në një kotec pulash, në disa fuqi të mbushura me drithëra.
“Një armë AK-47 e demontuar. Shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët. Pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike. Municion të kalibrave të ndryshëm. Një helmetë ushtarake. Dhjetë rripa për uniforma ushtarake. Një kapelë ushtarake. Dy çantë ushtarake. Një shall kamuflazhi për snajper. Një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë. Disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez. Disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj. Të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente”, janë disa nga provat e gjetura sipas Policisë.