Në një debat të organizuar në Parlamentin Evropian lidhur me parregullsitë zgjedhore në Serbi, deputetë të shumtë kritikuan shtetin e Aleksandër Vuçiqit për situatën politike në vend. Krahas politikës së brendshme, Serbisë iu kërkua zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën, si element kyç për përparimin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian
Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur të martën vërejtje dhe kritika serioze për procesin zgjedhor në Serbi, duke kërkuar që për parregullsitë e raportuara të ketë edhe hetime ndërkombëtare.
Kjo është thënë në një debat të organizuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku folën edhe vetë deputetët e PE-së, të cilët ishin dëshmitarë të parregullsive në procesin zgjedhor në Serbi, duke qenë vëzhgues të delegacionit të Bashkimit Evropian.
Në këto diskutime që iu kushtuan edhe situatës politike në Serbi, e jo vetëm procesit zgjedhor, kanë folur edhe përfaqësuesit nga shërbimi i veprimit të Jashtëm të BE-së si dhe nga Komisioni Evropian.
Zëvendësdrejtori menaxhues, Marco Makovec, në emër të shërbimit të Jashtëm të BE-së ka rikujtuar deklaratën e përbashkët, të cilën për zgjedhjet në Serbi e kishin dhënë përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dhe komisionari Oliver Varheyli, e të cilët kishin shprehur shqetësim për disa çështje, duke kërkuar që të hetohen dhe të adresohen, në mënyrë që të përmirësohet dukshëm procesi zgjedhor në Serbi.
Makovec ka thënë se sundimi i ligjit për Serbinë si dhe zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën mbeten kyç për përparimin e Serbisë në procesin e integrimit në BE.
“Viti 2023 ishte një vit me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pamë eskalime serioze, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në muajin maj dhe sulme të dhunshme në Banjskë, më 24 shtator. Por pamë edhe progres në disa fusha”, ka thënë ky diplomat i lartë i BE-së, duke shtuar se duhet gjithsesi të ketë përgjegjësi për sulmet në Banjskë dhe se kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ai e përsëriti thirrjen e BE-së që të zbatohen të gjitha marrëveshjet nga dialogu, pa vonesa dhe pa parakushte. Ai shprehu keqardhje që, sipas Bashkimit Evropian, situata e sigurisë në veri të Kosovës nuk është përmirësuar aq sa ishte pritur.
Sa i përket Serbisë është përsëritur thirrja që ky vend, nëse dëshiron që të përparojë në procesin e integrimeve evropiane, të përshtatet më shumë me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian e sidomos në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, sepse mospërshtatja në këtë rast është duke u bërë pengesa kryesore në procesin e negociatave të Serbisë për anëtarësimin në BE.
Këtë e konfirmoi edhe Michael Mueller, duke folur në emër të Komisionit Evropian. Ai tha se Serbia kishte nisur negociatat e anëtarësimit para dhjetë vjetëve, mirëpo hapin e fundit në këtë proces e kishte bërë në vitin 2021 dhe prej atëherë asnjë kapitull nuk është hapur.
Disa deputetë të Parlamentit Evropian kërkuan nga institucionet e BE-së që të jenë më të qarta dhe më të ashpra ndaj Serbisë, sepse, siç thanë, nuk mund të pritet nga ato autoritete që vetë kanë bërë parregullsi zgjedhore që t’i hetojnë të njëjtat parregullsi, sepse kjo do të thoshte sikur të hetojnë vetveten.
Më vonë, në muajin shkurt, pritet që të miratohet edhe një rezolutë e veçantë për procesin zgjedhor në Serbi.