Arbëri

Serbia u jep para të arrestuarve për krime lufte në Kosovë

paraburgim

Qeveria e Serbisë ka vendosur të ndajë asistencë financiare të njëhershme prej 300 mijë dinarëve për serbët e arrestuar në Kosovë nën dyshimin se kanë kryer krime lufte ndaj shqiptarëve më 1998-99, ka raportuar "Danas".

Sipas njoftimit zyrtar, asistenca financiare është për t’u ndihmuar të ndaluarve për procedurat ligjore, të cilat Serbia po i quan si “persekutim politik”.

Pretendohet se “ndihma është e dedikuar për ata, ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar procese të inskenuara penale për krimet që pretendohet se janë kryer gjatë konflikteve të armatosura të viteve 1998-1999 kundër shqiptarëve në Kosovë, si dhe në procese tjera të inskenuara penale që janë iniciuar me qëllim të persekutimit politik”.

Nuk është bërë e ditur se për sa persona do të vlejë kjo pagesë. Kjo shumë, e kthyer në euro, është mbi 2500 euro. Sipas Qeverisë së Serbisë, pagesa do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme.