Arbëri

Serbia synon të kthejë praninë përmes Kishës Ortodokse e Asociacionit, vlerësojnë njohësit

Kisha Ortodokse Serbe

Këtë muaj bëhen 22 vjet nga nisja e tërheqjes së forcave ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova. Ushtria serbe u detyrua të nënshkruante marrëveshjen e kapitullimit në qershor 1999, në Kumanovë. Por ëndrrën e saj për t’u rikthyer në Kosovë, Serbia nuk e ndërpreu kurrë, thonë njohësit e rrethanave në rajon. 22 vjet pas luftës, ata identifikojnë dy mënyra përmes të cilave shteti serb synon të sigurojë prezencë në territorin e Kosovës.

Dhuna e terrori ndaj shqiptarëve mori fund qershorin e 1999-s, kur Serbia nënshkroi kapitullimin dhe u detyrua të largohej nga Kosova.

Por edhe në qershorin e 22 vjetëve më vonë, sipas njohësve të raporteve ndërmjet dy shteteve, Serbia vazhdon synimin për rikthim në Kosovë, por jo ushtarakisht.

Azem Vllasi thotë se tani Beogradi punon ta sigurojë prezencën në Kosovë përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ta mbajë një lloj të prezencës së Serbisë në Kosovë dhe të thonë që Kosova megjithatë qenka në një mënyrë pjesë e Serbisë. Qëndrimi ynë duhet të jetë decidiv, statusi i Kosovës si shtet i pavarur është zgjidhur dhe për atë çështje më s’ka biseda, e ka vërtetuar këtë fakt edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, ka thënë Vllasi.

Për të shmangur një situatë të tillë, Vllasi thotë se Asociacioni duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën. Kurse monumentet fetare e kulturore, sipas tij, mbrohen nga shteti i Kosovës dhe këtë nuk ka nevojë ta bëjë Serbia.

“Jo 22 vjet, por Serbia edhe 50 vjet edhe s’e di sa, ëndrrën e vet për Kosovën, mitologjinë e Kosovës, nostalgjinë për Kosovën nuk mund t'ia heq askush. Prandaj ne nuk jemi ata që Serbisë ia fshijmë ëndrrat e saj dhe nostalgjinë për Kosovën”, ka shtuar ai.

Siguria e brishtë gjatë dy dekadave ia ka mundësuar Serbisë të jetë kërcënim për Kosovën gjatë tërë kësaj periudhe, vlerëson njohësi i këtij sektori, Nuredin Ibishi.

“Në krejt këto ndikime, influencën ruse që ajo e mbështet jo vetëm në sistemin e mbështetjes me pajisje ushtarake por realisht me intelegjencë por njëkohësisht edhe me manovra që kryen në afërsi të territorit të Kosovës që realisht paraqet një kërcënim potencial por është fatmirësi që ne kemi prezencën e NATO-s”, është shprehur ai.

Me 3 mijë e 500 trupa, KFOR-i është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë.