Arbëri

Serbia paralajmëron fushatën për ta pamundësuar votimin final në Këshillin e Evropës

Me gjithë ngushtimin e hapësirës manovruese pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, Serbia ka paralajmëruar veprime të tjera në përpjekjen për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Zyrtarët serbë dramatizuan pas vendimmarrjes në Strasburg, duke thënë se anëtarësimi mund t’i lërë serbët pa Asociacionin

Votimin e suksesshëm të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që është hapi i parafundit para aderimit të Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët serbë kanë vijuar ta cilësojnë hipokrizi të ndërkombëtarëve.

Tek është ankuar për kinse shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, mandatari për krijimin e qeverisë serbe, Millosh Vuçeviq, ka thënë të mërkurën se ndërkombëtarët i shkelën parimet që vetë i kanë vendosur ndaj Kosovës. Me këtë i është referuar mosthemelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo që pamë dje në Strasburg ishte vazhdimi i atij festivali të hipokrizisë dhe një gozhdë tjetër në arkivolin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe të gjitha standardeve që duhet të zbatohen. Nuk është fjala vetëm për perceptimin tonë për Kosovën si djep të identitetit serb, por ata vetë e kanë shkelur atë që kanë vendosur, sepse dikush ua ka kërkuar këtë me telefon apo e-mail. Serbia do të luftojë me argumente, fakte, ligje e vetëbesim, sepse nëse nuk besojmë në vetvete, nuk mund të presim as nga të tjerët”, ka thënë Vuçeviq për televizionin publik serb.

Ai e ka pranuar se nuk u ka mbetur shumë hapësirë për manovrim, porse ka theksuar se nuk ka tërheqje dhe dorëzim.

Me tone të njëjta ka folur edhe shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka theksuar se lidershipi shtetëror i Serbisë bëri gjithçka përmes një ofensive të fortë diplomatike që të vërë në dukje atë që e ka quajtur shkelje të të gjitha kushteve dhe parimeve, kur është fjala për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të themelohet kurrë. Duke qenë kështu do të dukej se Kosova u shpërblye sepse Asociacioni i komunave nuk u formua”, ka deklaruar Petkoviq, i cili të enjten do të takohet me kryenegociatorin e Kosovës në Bruksel, Besnik Bislimi, për të diskutuar për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb. Kjo rregullore e njeh vetëm euron si valutë zyrtare, derisa me hyrjen në fuqi në shkurt të këtij viti është ndaluar dinari serb për operacione me para të gatshme.

Lidhur me kërkesën e serbëve për Asociacionin, të martën komentoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur se a është i gatshëm të rrezikojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, nëse çmimi është lëvizja drejt Asociacionit, Kurti deklaroi se nuk bën hapa që e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës.

Duke folur për kërkesat e shteteve të QUINT-it, Kurti tha se vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet nuk bën që të mbajnë qëndrim më poshtë se deputetja greke Dora Bakoyannis.

“Shtetet e QUNT-it mos të kërkojnë më pak për Kosovën se Dora Bakoyannis, ose mos të bëjnë për Kosovën trysni më shumë se ajo (Bakoyannis) që vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën”, deklaroi Kurti, pas votimit të martën në Strasburg.

Para votimit në Komitetin për Çështje Politike, Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i dërguan një letër Bakojanisit, në të cilën janë zotuar për zbatimin e të gjitha obligimeve nga dialogu i Brukselit, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.

Nga ana tjetër, edhe pse Serbia nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, ishte dakorduar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, ajo e shkeli atë duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Të mërkurën Asambleja Parlamentare i dha dritën e gjelbër anëtarësimit të Kosovës në Këshill.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan. Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.

Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bënte hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, para votimit final të ministrave në maj.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, që është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, në fillim të debatit tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Kjo mbledhje pritet të mbahet në muajin maj. Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës mirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci.