Serbia është identifikuar si faktori kryesor që paraqet rrezik dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.
E dhëna ndodhet në draftin e Strategjisë së Mbrojtjes, dokument qeveritar që synon të ofrojë vizionin afatmesëm për atë se si Kosova do ta zbatojë funksionin themelor të mbrojtjes – ruajtjen e pavarësisë, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit.
Alarmi që përhap dokumenti është se, kundër Kosovës, Serbia vazhdon të përdorë në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e fuqisë kombëtare përmes metodave hibride.
“Në fushën e diplomacisë ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në territorin e Republikës së Kosovës, ajo përdor elemente informative dhe ekonomike për ta instrumentalizuar pakicën serbe dhe për t’i fuqizuar strukturat paralele, duke penguar procesin e integrimit të tyre. Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të paraqesë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e Republikës së Kosovës, duke zhvilluar, modernizuar dhe rritur kapacitetet ushtarake, si dhe pozicionimin e tyre përgjatë kufirit me Kosovën”, thuhet në draftin e Strategjisë së Mbrojtjes.
Por, në Draftin e Strategjisë, Rusia nuk përmendet diku si faktor kërcënues, pavarësisht drojës në rritje që e shprehin vendet e rajonit.
Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Rusia është mirë e etabluar në Serbi kundër Kosovës.
“Serbia në këtë rast nuk është e vetme. Serbia ndihmohet jashtëzakonisht shumë nga shtetet e saj partnere dhe aleate, e në këtë rast më e fuqishmja është Rusia dhe liderë i këtyre kërcënimeve hibride nuk është Serbia, por është Rusia”, ka thënë Avdiu.
Në dokument theksohet se anëtarësimi në NATO dhe në komunitetin e gjerë euroatlantik mbeten në zemër të aspiratave për sigurinë dhe mbrojtjen.
E, pikërisht mungesa e vizionit për këtë anëtarësim, përbën shqetësim për hulumtuesin Plator Avdiu.
“Strategjia e Mbrojtjes nuk e tregon një rrugë të qartë se cila duhet të jetë strategjia e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kur flitet për mbrojtje, anëtarësimi më i rëndësishëm është anëtarësimi në NATO. Ka vetëm referenca sipërfaqësore, por nuk ka diçka konkrete”, ka shtuar Avdiu.
Në draftin e strategjisë së mbrojtjes përmenden edhe gjashtë faktorë krahas Serbisë, e që përbejnë kërcënim për sigurinë kombëtare: Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm; Veprimtaritë destabilizuese të shërbimeve të huaja të inteligjencës; Sulmet kibernetike; Paqëndrueshmëria e brendshme politike; Krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi; si dhe Fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga faktori njeri.