Serbia i ka dëbuar për dhjetë vjet dy shtetas të Zvicrës, pasi bënë me duar shqiponjën, që sipas Prokurorisë shihet si simbol për “Shqipërinë e Madhe”. Me këtë vendim, Gjykata ua anuloi vendimin për burgim.
Autoritetet serbe e kanë cilësuar si provokim nacionalist, shqiponjën e cila përdoret nga shqiptarët në mbarë botën.
Dëbimi i B.C, dhe G.V. u bë pas marrëveshjes që ata arritën me prokurorinë serbe.
“B.C. ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare dhe jotolerancës duke asistuar, teksa ka fotografuar G.V., i cili bëri me duar shqiponjën dykrenore”, u tha në njoftimin e autoriteteve serbe.
G.V., ishte dënuar me një vit burgim, ndërkaq B.C. me gjashtë muaj burgim. Por, pas marrëveshjes me prokurorinë, dënimet e tyre janë anuluar. Atyre tash u është ndaluar hyrja në Serbi për 10 vjet.
Edhe në të kaluarën, Serbia ka pasur reagime ndaj simbolit të shqiponjës. Ylli i futbollit zviceran, me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka, e pati bërë shqiponjën me duar pas golit ndaj Serbisë. Njëjtë veproi edhe Xherdan Shaqiri në po atë ndeshje të Kupës së Botës më 2018. Futbollistët ishin gjobitur nga autoriteti botëror i futbollit, ndërkaq festimi i golave në këtë mënyrë nga futbollistët me prejardhje nga Kosova, kishte shkaktuar zemërim të madh në Serbi.